Trump para takimit me Zelenskyyn: Nuk ka marrëveshje për paqe në Ukrainë pa miratimin e SHBA-së

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se asnjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë nuk do të jetë përfundimtare pa miratimin e Washingtonit, ndërsa ai planifikon të presë homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy për bisedime në Florida, transmeton Anadolu.

“Ai (Zelenskyy) nuk ka asgjë derisa ta miratoj unë”, ka thënë Trump për Politico, para takimit që pritet të zhvillohet të dielën.

“Do të shohim çfarë ka”, ka thënë presidenti amerikan, duke shtuar se pret që bisedimet të jenë produktive. “Mendoj se do të shkojë mirë me të”, ka theksuar ai.

Trump ka shprehur gjithashtu optimizëm për diplomacinë paralele me Moskën, duke thënë se beson që diskutimet do të “shkojnë mirë” edhe me presidentin rus Vladimir Putin dhe se pret të bisedojë “së shpejti” me liderin rus.

Më herët, Zelenskyy konfirmoi se do të takohet me Trumpin për të diskutuar draftplanin për t’i dhënë fund luftës, së bashku me garanci të propozuara sigurie dhe një marrëveshje ekonomike.

Ai konfirmoi për Axios se qëllimi kryesor i bisedimeve do të jetë finalizimi i një kornize dhe një “afati kohor” për përfundimin e konfliktit në vazhdim.

Zelenskyy tha se procesi ka kaluar në një “nivel tjetër”, duke pohuar se vendimet tani kërkojnë përfshirje të drejtpërdrejtë presidenciale për të përshpejtuar rezultatin.

Ndërkohë, Kremlini tha se Moska dhe Washingtoni janë dakorduar të ruajnë dialogun për një zgjidhje të mundshme.