Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump tha se i autorizon guvernatorët e shteteve amerikane që të vendosin se kur do të riaktivizojnë aktivitetin ekonomik në shtetet e tyre pas mbylljeve masive të shkaktuara nga koronavirusi i ri (COVID-19), edhe pse autoritet i tillë nuk i takon atij që ta japë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Trump gjatë konferencës së mbrëmshme për media tha se proceset graduale do të ndërmerren nga guvernatorët të cilët “do të fuqizohen” nga plani i tij “për të përshtatur një qasje që plotëson rrethanat e ndryshme të shteteve të tyre”.
“Nëse ata kanë nevojë të qëndrojnë të mbyllur, ne do t’i lejojmë ata ta bëjnë këtë dhe nëse ata besojnë se është koha për t’u rihapur, ne do t’u lejojmë atyre lirinë dhe udhëzimin për të realizuar atë detyrë dhe shumë shpejt në varësi të asaj që duan ta bëjnë”, tha ai.
Trump vazhdimisht dhe në mënyrë të rreme ka tentuar të portretizojë veten si autoritetin e vetëm për atë se kur mund të rihapet vendi, duke thënë të hënën se ai ka “autoritetin e plotë” për të vendosur se kur do të rihapet SHBA.
Amendamenti i 10-të i Kushtetutës i cili përcakton parimin e federalizmit në SHBA shprehet në mënyrë të qartë se “fuqitë që nuk u janë deleguar Shteteve të Bashkuara me Kushtetutë dhe as nuk janë të ndaluara për shtetet, janë të rezervuara për shtetet përkatëse ose për njerëzit”.
Ky nen u jep shteteve ato që njihen si “kompetencat e policisë”, që përfshijnë shpalljen dhe zbatimin e ligjeve të shëndetit publik.
Guvernatorët e shtetit kanë imponuar mbyllje të bizneseve jo thelbësore në territoret e tyre dhe u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi, në përpjekje për të zvogëluar përhapjen e koronavirusit të ri.








