Ballina Lajmet Kosovë Trumpi mbledh sot Bordin e Paqes, pjesëmarrëse edhe presidentja Osmani

Trumpi mbledh sot Bordin e Paqes, pjesëmarrëse edhe presidentja Osmani

Presidentja e Kosova, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë sot në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes, një nismë e presidentit amerikan Donald Trump që synon t’i japë fund konflikteve në botë.

Pjesëmarrja e saj është konfirmuar nga këshilltari për media, Bekim Kupina. Takimi i parë i Bordit do të mbahet në Institutin për Paqe të Trumpit në Uashington, ku pritet të shpallen edhe angazhimet financiare dhe ushtarake të vendeve anëtare.

Sipas njoftimeve të bëra nga presidenti Trump, shtetet pjesëmarrëse janë zotuar për më shumë se pesë miliardë dollarë për përpjekjet e rindërtimit dhe ndihmës humanitare në Gazë, si dhe për angazhimin e mijëra trupave në një Forcë Ndërkombëtare Stabilizuese, me qëllim garantimin e sigurisë dhe paqes për banorët e atjeshëm.

Nga Presidenca e Kosovës është theksuar se vendi mbetet i përkushtuar të punojë ngushtë me aleatin e tij kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me Bordin e Paqes, për të sjellë rezultate konkrete në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në rajonet e prekura nga konfliktet. Po ashtu, është konfirmuar se Kosovës nuk i është kërkuar pagesë prej një miliard dollarësh.

Bordi i Paqes, i themeluar më 22 janar në Davos të Zvicrës në prani të presidentit Trump, numëron 27 anëtarë. Ai është autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për të mbikëqyrur zbatimin e armëpushimit në Gazë dhe për t’u angazhuar në aspektet e qeverisjes dhe rindërtimit.

Themelimi i këtij mekanizmi është pjesë e planit 20-pikësh të presidentit Trump për paqe në Gazë, plan i cili është pranuar nga Izraeli dhe Hamasi, me synimin për t’i dhënë fund luftimeve dyvjeçare.