ShBA-ja ka nisur operacionet për të “pastruar” Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe globale e transportit detar, tha të shtunën presidenti amerikan Donald Trump.
“Po fillojmë procesin e pastrimit të Ngushticës së Hormuzit si një favor për vendet në mbarë botën, përfshirë Kinën, Japoninë, Korenë e Jugut, Francën, Gjermaninë dhe shumë të tjera”, shkroi ai në Truth Social.
Ai deklaroi se minat detare ishin kërcënimi i vetëm i mbetur për anijet që kalojnë nëpër ngushticë, duke shtuar se të gjitha 28 anijet iraniane për vendosjen e minave “ndodhen në fund të detit”.
Komentet e Trumpit vijnë në një kohë kur delegacionet e ShBA-së dhe Iranit po zhvillojnë bisedime në Islamabad, të ndërmjetësuara nga Pakistani, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit më të gjerë rajonal mes një armëpushimi të brishtë dyjavor.







