Truss në fjalimin e fundit si kryeministre e Britanisë: Na presin ditë më të ndritshme

Kryeministrja britanike në largim, Liz Truss, tha se vendin e “presin ditë më të ndritshme”, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Downing Street për herë të fundit si kryeministre, Truss tha: “Ne thjesht nuk mund të përballojmë të jemi një vend me rritje të ulët ku qeveria merr një pjesë gjithnjë e më të madhe të pasurisë sonë kombëtare dhe ku ka ndarje të mëdha midis pjesëve të ndryshme të vendit tonë”.

“Ne duhet të përfitojmë nga liritë tona të Brexit-it për t’i bërë gjërat ndryshe. Kjo do të thotë të ofrojmë më shumë liri për qytetarët tanë dhe të rivendosim pushtetin në institucionet demokratike, që do të thotë taksa më të ulëta, kështu që njerëzit të mbajnë më shumë nga paratë që fitojnë. Do të thotë të ofrojmë rritje që do të çojë në më shumë siguri në punë, paga më të larta dhe mundësi më të mëdha për fëmijët dhe nipërit tanë”, tha Truss.

Kryeministrja në largim e Britanisë tha se ishte një “nder i madh të jesh kryeministre e këtij vendi të madh, në veçanti, të drejtosh kombin në ditët e zisë për vdekjen e Madhërisë së saj të ndjerë, Mbretëreshës, pas 70-vjet shërbimi, dhe të përshëndesësh ngjitjen në fron të Madhërisë së Tij, Mbretit Charles III”.

Truss shtoi se vendi vazhdon të luftojë përmes një “stuhie”. “Por unë besoj te Britania, besoj te popullin britanik. Dhe unë e di se para nesh janë ditë më të ndritshme”, tha ajo.

Truss më vonë u nis për në Buckingham Palace për të takuar Mbretin Charles III për të paraqitur zyrtarisht dorëheqjen e saj.

Dje, ish-shefi i Thesarit, Rishi Sunak, u bë udhëheqësi i ri i konservatorëve pasi kandidatja tjetër, Penny Mordaunt, u tërhoq nga gara disa minuta përpara se të arrinte afati i kandidimit.