Turbulencat ajrore po shtohen me ritme të frikshme dhe po bëhen gjithnjë e më të rrezikshme për pasagjerët dhe ekuipazhet. Ngjarje të fundit kanë rikthyer në vëmendje rrezikun në rritje nga ndryshimet klimatike, që po çojnë në forca më të forta dhe të paparashikueshme ajrore gjatë fluturimeve.
Një fluturim i Singapore Airlines në vitin 2024 u godit nga turbulenca ekstreme mbi Mianmar, ku pasagjerët raportuan “gjak në tavan” dhe një skenë kaosi të plotë. Më herët, në një avion të United Airlines që fluturonte mbi Filipine një stjuardesë përfundoi me krah të thyer dhe tronditje në kokë pasi u përplas në tavan.
Sipas një studimi të profesor Paul Williams nga Universiteti i Reading, turbulenca e fortë në ajër të pastër është rritur me 55% që nga viti 1979, dhe deri në mesin e këtij shekulli, pritet që ajo të trefishohet në të gjithë botën, me ndikim më të madh në rrugët ajrore mbi Atlantikun e Veriut dhe Azinë Lindore.
Turbulenca nuk është vetëm shqetësim për pasagjerët, por një problem që i kushton industrisë miliona dollarë në dëmtime të avionëve dhe rritje të konsumit të karburantit. Për të përballuar këtë sfidë, kompani dhe institute kërkimore po investojnë në teknologji të reja që synojnë të zbusin efektet e saj.
Një prej tyre, kompania austriake Turbulence Solutions, ka zhvilluar pajisje të vogla të quajtura “flaplets”, që vendosen në krahët e avionit dhe reagojnë automatikisht ndaj ndryshimeve të presionit të ajrit, duke stabilizuar fluturimin. Sipas testimeve, teknologjia mund të reduktojë ndjesinë e turbulencës me mbi 80%.
Në anën tjetër, studiues në Suedi, SHBA dhe Kinë po eksperimentojnë me inteligjencë artificiale dhe sensorë të avancuar për të parashikuar dhe kontrolluar fluturimin në kushte të turbullta. AI është përdorur për të analizuar rrjedhat e ajrit dhe për të kontrolluar fluturimin me saktësi përmes “pompimeve sintetike” në krahët e avionëve.
NASA po teston mikrofonë të specializuar që zbulojnë turbulencat deri në 480 kilometra larg, ndërsa teknologjia Lidar, e ngjashme me atë që përdorin makinat autonome, po zhvillohet për të krijuar harta 3D të ajrit përreth avionëve.
Megjithatë, teknologjitë e reja janë ende në faza testimi dhe sfida të mëdha mbeten. Parashikimet janë përmirësuar, nga 60% e saktësi para 20 vitesh, sot janë rreth 75%, por mungesa e të dhënave në kohë reale nga avionët dhe ajri në lartësi të mëdha mbetet pengesë.
Një nismë e rëndësishme është edhe Turbulence Aware nga IATA, që mbledh të dhëna nga fluturimet komerciale dhe ua shpërndan në kohë reale kompanive si Air France, EasyJet apo Aer Lingus.
Për pasagjerët, aplikacione si Turbli ofrojnë parashikime të detajuara të turbulencës gjatë itinerarit. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se paniku shpesh është i tepërt dhe zgjidhja më e mirë për momentin mbetet rripi i sigurisë i lidhur.
Industria po ecën drejt një të ardhmeje ku teknologjia do të bëjë fluturimet më të qeta, por për tani, turbulenca është një realitet me të cilin duhet të mësohemi.








