Të paktën 57 persona janë arrestuar në Turqi pas një urdhri arresti të lëshuar për 73 të dyshuar për lidhje me organizatën terroriste FETO, transmeton Anadolu Agency (AA).
Prokuroria e Stambollit lëshoi urdhra arresti për 73 të dyshuar, duke shpjeguar se ata ishin infiltruar në Forcat e Armatosura Turke (TSK), duke përfshirë ushtarakë aktivë.
Efektivët e Departamentit të Antiterrorit në Stamboll, gjatë një operacioni të kryer në 25 provinca arrestuan 57 të dyshuar.
Në deklaratën e autoriteteve të sigurisë thuhet se operacioni është duke vazhduar për të arrestuar edhe 16 të dyshuar të tjerë të cilët janë në arrati.
Organizata terroriste FETO është përgjegjëse për tentativën e përgjakshme të grushtit të shtetit në Turqi natën e 15 korrikut 2016. Kjo është një organizatë terroriste e udhëhequr nga Fetullah Gulen, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ekstradimin e të cilit Turqia e ka kërkuar zyrtarisht nga SHBA-ja.
Anëtarët e kësaj organizate terroriste prej vitesh janë avancuar në shërbim duke kurdisur provimet dhe kështu duke depërtuar në institucionet shtetërore. Më pas, fillimisht në dhjetor 2013, mbështetësit e FETO-s në gjyqësorin turk u përpoqën të ndjekin penalisht një numër zyrtarësh të rangut të lartë përmes një gjyqi të montuar për korrupsion.
Disa vite më vonë, pasoi tentativa e përgjakshme për grusht shteti nga terroristët e FETO-s, e cila u mposht, që ishte një tentativë e kryer nga oficerët e infiltruar të FETO-s në ushtrinë turke.
Hetimet për organizatën terroriste FETO kanë treguar se grupi është një rrjet global që përbën kërcënim jo vetëm për Turqinë, por për çdo vend tjetër në të cilin ajo është aktive. Zyrtarët turq e kanë theksuar këtë në disa raste. Gjatë tentativës për grusht shteti në Turqi, 251 persona u vranë dhe 2.734 u plagosën. /aa



