Turqia dhe Egjipti drejt normalizimit të marrëdhënieve

Në një deklaratë nga Ministria turke e Punëve të Jashtme thuhet se konsultimet politike midis Turqisë dhe Egjiptit do të zhvillohen në Kajro nga 5 deri më 6 maj nën bashkëkryesimin e zv.ministrit të Jashtëm turk, Ambasadorit Sedat Önal dhe zv.ministrit të Jashtëm egjiptian, Ambasadori Hamdi Sanad Loza.

Sipas komunikatës këto bisedime eksploruese do të fokusohen në hapat që duhen ndjekur për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në kontekstin dypalësh dhe rajonal.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi në transmetimin e drejtpërdrejtë që mori pjesë më 15 prill, se ishte rënë dakord që kanali i komunikimit që ishte hapur midis Turqisë dhe Egjiptit të vazhdonte përmes ministrive të jashtme.

Marrëdhëniet diplomatike midis Turqisë dhe Egjiptit janë ruajtur reciprokisht në nivelin e të ngarkuarit me punë që nga viti 2013. /trt