Turqia do të testojë pasagjerët nga Britania për virusin e ri

Turqia mëngjesin e sotëm ka filluar testimin e pasagjerëve që mbërrijnë nga Britania e Madhe për shkak të llojit të ri të koronavirusit, pasi zyrtarët shëndetësorë në Britani konfirmuan se po përhapet me shpejtësi në këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA)

Të gjitha detajet e kontaktit të pasagjerëve janë marrë dhe atyre u kërkohet të vetë-izolohen.

Turqia mbrëmë vonë iu bashkua vendeve tjera evropiane në ndalimin e fluturimeve nga Britania dhe vendet e tjera për shkak të shqetësimeve rreth llojit të ri më infektues të koronavirusit.

Në një postim në twitter, ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, njoftoi se si pjesë e masave të gjithë udhëtarët që janë akoma në fluturime do të testohen dhe se do të zbatohen rregullat e karantinës kur të mbërrijnë.

“Masat kryhen në koordinim të plotë”, shtoi Koca.

Masa erdhi pasi disa vende evropiane, përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Austrinë, njoftuan pezullim të fluturimeve nga Britania e Madhe.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po ashtu u kërkoi vendeve evropiane të dyfishojnë masat e tyre shëndetësore për shkak të virusit të ri.