Turqia kërkon shpjegim nga autoritetet kineze lidhur me shkaqet e zjarrit në Rajonin Autonom Ujgur Xinjiang

Ministria e Jashtme e Turqisë kërkon shpjegim nga autoritetet e Kinës lidhur me vdekjet nga zjarri në qytetin Urumqi (Dihua) në Rajonin Autonom Ujgur Xinjiang në Kinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga ministria lidhur me çështjen thuhet se është mësuar me keqardhje të thellë se ka pasur humbje jete dhe të plagosur nga zjarri në Urumqi, qendra e Rajonit Autonom Ujgur Xinjiang në Kinë. Më tej në deklaratë u përcollën ngushëllimet e Turqisë për këtë ngjarje tragjike si dhe u urua shërim i shpejtë për të plagosurit.

Në deklaratë u përdor shprehja “Presim që opinioni publik të informohet për shkakun e zjarrit”.

Ndërsa në një informim nga burimet diplomatike thuhet se “Nga autoritetet e Kinës është kërkuar shpjegim rreth shkaqeve të zjarrit”.

– Nga zjarri në një ndërtesë të karantinuar në qytetin Urumqi të rajonit Xinjiang në Kinë humbën jetën 10 persona

Ishte njoftuar se 10 persona humbën jetën nga zjarri në një ndërtesë për të cilën pretendohet se ishte në karantinë në Urumqi, qendrën e Rajonit Autonom Ujgur Xinjiang të Kinës.

Pretendimet se banorët që jetonin në ndërtesën ku ra zjarri nuk mund të dilnin nga shtëpitë e tyre për shkak të karantinës dhe se ekipet zjarrfikëse nuk mundën të ndërhynin në kohë ndaj zjarrit për shkak se nuk mundën të hynin në kompleksin e rrethuar me pengesa dhe barriera metali, shkaktuan reagime që u shndërruan në protesta.