“Turqia nuk mund të miratojë kërkesën e Suedisë për NATO nëse nuk i përmbush premtimet”

Turqia rikujtoi premtimet e Suedisë dhe Finlandës të cilat i kanë bërë lidhur me kërkesën e tyre për anëtarësim në NATO, duke thënë se është e pamundur të miratohet kërkesa e Suedisë “pa parë ndërmarrjen e hapave konkretë”, raporton Anadolu.

“Për sa i përket anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë, qëndrimi i Turqisë është i qartë dhe transparent”, tha sot ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e jashtëm hungarez Peter Szijjarto, i cili mbërriti në Ankara për vizitë solidariteti pas tërmeteve të 6 shkurtit.

Duke rikujtuar se terrorizmi është një nga dy kërcënimet kryesore për NATO-n, Çavuşoğlu tha se Turqia pret që dy vendet nordike t’u përgjigjen shqetësimeve të Ankarasë në lidhje me luftën kundër terrorizmit.

Që nga nënshkrimi i memorandumit trepalësh në Samitin e NATO-s në Madrid në qershor 2022, Çavuşoğlu tha se “nuk ka pasur asnjë hap të kënaqshëm të ndërmarrë nga Suedia”.

“(Suedia dhe Finlanda) Kanë dhënë premtime për anëtarësimin në NATO. Nuk është e mundur që ne t’i themi ‘po’ anëtarësimit të Suedisë në NATO pa i parë këto hapa”, tha ai.

Ai tha gjithashtu se kërkesat e vendeve nordike për anëtarësim në NATO mund të vlerësohen ndaras, pasi Turqia ka një mendim më pozitiv ndaj procesit të Finlandës.

Çavuşoğlu përmendi edhe mekanizmin e krijuar midis Turqisë, Suedisë dhe Finlandës dhe tha se do të ishte mirë që takimi i tretë i mekanizmit të mbahet në Bruksel.

Kryediplomati hungarez vizitë në Turqia pas tërmeteve

Ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë së Jashtme i Hungarisë, Peter Szijjarto, theksoi se tërmetet e 6 shkurtit me epiqendër Kahramanmaraş të Turqisë kanë tronditur thellë vendin e tij, duke shtuar se Türkiyen e kanë mik dhe janë të gatshëm të vazhdojnë ndihmat e tyre, raporton Anadolu.

Szijjarto, i cili qëndron në Ankara për një vizitë, pas takimit me homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu, mbajti një konferencë të përbashkët për media.

“Lajmi i tërmetit na tronditi thellë neve të gjithëve në Hungari. Sepse populli dhe kombi vëlla përjetoi një problem të madh dhe kjo na brengosi”, tha ai lidhur me tërmetet në Turqi, duke shtuar se për një kohë më të shkurtër se 24 orë kanë dërguar ndihma.

Ai u shpreh se në Turqi kanë dërguar 167 pjesëtarë të kërkim-shpëtimit dhe 28 qenë dhe se ekipi hungarez ka shpëtuar 35 jetë njerëzore, ndërsa gjithashtu janë dërguar 10 tonë ndihmë mjekësore dhe humanitare me një helikopter ushtarak.

“Edhe në të ardhmen, planet tona të diversifikimit të gazit natyror nuk mund të jenë pa Türkiyen”

Duke folur rreth çështjeve të tjera, Szijjarto nënvizoi se Turqia dhe Hungaria vazdojnë partneritetin strategjik. “Turqia është miku i Hungarisë. Ne jemi me miqtë tanë kur ata janë në vështirësi dhe do të vazhdojmë të jemi me ta që të rinormalizohen në të ardhmen”, u shpreh Szijjarto.

Sipas tij, nuk do të mund të garantohet siguria e furnizimit me energji pa Türkiyen.

“Turqia siguron në mënyrë tranzite një pjesë të madhe të furnizimit të Hungarisë me gaz natyror. Edhe në të ardhmen, planet tona të diversifikimit të gazit natyror nuk mund të jenë pa Turqinë. Sepse marrja e gazit natyror nga Azerbajxhani është e mundur vetëm duke kaluar në Evropën Qendrore në mënyrë tranzite përmes Turqisë. Kanë filluar gjithashtu negociatat e drejtpërdrejta tregtare”, shtoi kryediplomati hungarez.

Ai mes të tjerash falënderoi edhe përpjekjet e Turqisë për ndërmjetësim lidhur me luftën Rusi-Ukrainë. “Hungaria edhe tutje do të vazhdojë të ofrojë gjithë mbështetjen për Turqinë”, tha Szijjarto.

Szijjarto gjithashtu vizitoi Presidencën e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).