Turqia ka njoftuar se po përgatit për përdorim operacional një sistem të mbrojtjes ajrore Patriot në lindje të vendit, në kuadër të masave për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore mes tensioneve të shkaktuara nga lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Ministria turke e Mbrojtjes bëri të ditur se Forcat e Armatosura të Turqisë janë në koordinim me NATO-n për të forcuar mbrojtjen ajrore dhe atë kundër raketave.
Sipas deklaratës, sistemi Patriot ndodhet aktualisht në Malatya dhe po përgatitet për të mbështetur mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit. Në këtë qytet ndodhet edhe një stacion radar i paralajmërimit të hershëm i NATO-s, i vendosur në vitin 2012 për zbulimin e raketave balistike.
Autoritetet turke theksuan se po ndërmerren masa të nevojshme për sigurinë e kufijve dhe të qytetarëve për shkak të zhvillimeve të fundit në rajon.
Ndërkohë, sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s kanë ndërhyrë të hënën për të rrëzuar një raketë të lëshuar nga Irani që po drejtohej drejt Turqisë, duke shënuar rastin e dytë brenda një jave kur raketa iraniane hyjnë në hapësirën ajrore turke. /mesazhi








