Turqia refuzon deklaratën e presidentit amerikan Biden

Turqia plotësisht hedh poshtë komentet e Presidentit të SHBA-së Joe Biden mbi ngjarjet e vitit 1915, të cilat bazohen vetëm në populizëm, tha ministri i Jashtëm i vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Fjalët nuk mund të ndryshojnë ose rishkruajnë historinë. Turqia nuk ka asgjë për të mësuar nga askush për të kaluarën e saj”, shkroi ministri Mevlüt Çavuşoğlu në median sociale.

Duke thënë se oportunizmi politik është tradhtia më e madhe e paqes dhe drejtësisë, ai theksoi se Turqia e hedh poshtë plotësisht deklaratën e Biden-it.

Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Turqisë tha se komentet e presidentit amerikan mbi pretendimet armene për ngjarjet e vitit 1915 nuk kanë asnjë bazë shkencore ose ligjore dhe nuk mbështeten nga provat.

“Ne e hedhim poshtë dhe denoncojmë me fjalët më të forta deklaratën e Presidentit të SHBA-së në lidhje me ngjarjet e vitit 1915 të bërë nën presionin e qarqeve radikale armene dhe grupeve anti-Turqi më 24 prill”, tha ministria në një deklaratë.

Ajo tha se asnjë nga kushtet e kërkuara për përdorimin e termit “gjenocid”, i përcaktuar në mënyrë rigoroze në të drejtën ndërkombëtare, nuk përmbushet nga ngjarjet e 1915.

“Natyra e ngjarjeve të vitit 1915 nuk ndryshon sipas motiveve aktuale politike të politikanëve ose konsideratat e brendshme politike. Një qëndrim i tillë i shërben vetëm një shtrembërimi vulgar të historisë”, theksoi deklarata.

Ministria tha se deklarata nga Biden, i cili nuk është i autorizuar as ligjërisht dhe as moralisht për të gjykuar ngjarjet historike, nuk ka asnjë vlerë.

Më herët të shtunën, Biden i quajti ngjarjet e vitit 1915 një “gjenocid”, duke thyer traditën e mbajtur të presidentëve amerikanë të përmbahen nga përdorimi i termit.

Qëndrimi i Turqisë për ngjarjet e vitit 1915

Pozicioni i Turqisë për ngjarjet e vitit 1915 është se vdekjet e armenëve në Anadollin lindor ndodhën kur disa morën anën e rusëve pushtues dhe u rebeluan kundër forcave osmane. Një zhvendosje e mëvonshme e armenëve rezultoi në viktima të shumta.

Turqia kundërshton paraqitjen e këtyre incidenteve si “gjenocid”, duke i përshkruar ato si një tragjedi në të cilën të dy palët pësuan viktima.

Ankaraja ka propozuar vazhdimisht krijimin e një komisioni të përbashkët historianësh nga Turqia dhe Armenia si dhe ekspertësh ndërkombëtarë për të trajtuar çështjen. /aa