Turqisë i kanë mbetur veç edhe dy zona për kërkim-shpëtim

Turqia ka përfunduar përpjekjet e shpëtimit në të gjitha provincat, përveç dy zonave, pothuajse dy javë pas një tërmeti masiv që vrau dhjetëra mijëra njerëz, tha agjencia e vendit për fatkeqësitë.

Kërkimet do të vazhdojnë në Kahramanmaras dhe Hatay, tha shefi i agjencisë, shkruan BBC.

Të mbijetuarit po nxirreshin ende nga rrënojat të premten, por shpresat po shuhen për të gjetur dikë tjetër të gjallë.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken mbërriti në Turqi të dielën. Udhëtimi i tij ishte planifikuar para katastrofës.

Epiqendra e tërmetit me magnitudë 7.8 të 6 shkurtit ishte në Kahramanmaras.

Më shumë se 44,000 njerëz konfirmohet se kanë humbur jetën në Turqinë juglindore dhe Sirinë veriore.

Numri i të vdekurve pritet të rritet, me rreth 345,000 apartamente në Turqi që dihet se janë shkatërruar dhe shumë njerëz ende të zhdukur. As Turqia dhe as Siria nuk kanë thënë se sa njerëz janë ende të pagjetur.

“Në shumë nga provincat tona, përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit kanë përfundua”, u tha gazetarëve në Ankara shefi i agjencisë së fatkeqësive, Yunus Sezer.

Ai tha se përpjekjet e kërkim-shpëtimit po vazhdonin në rreth 40 ndërtesa në të dy provincat, por ai priste që ky numër të binte deri të dielën në mbrëmje.

Punonjësit e shpëtimit nxorën të paktën tre persona nga rrënojat të premten, më shumë se 11 ditë pasi ishin bllokuar kur goditi tërmeti.

Blinken ka mbërritur në Turqi për të treguar mbështetje, pavarësisht se udhëtimi ishte planifikuar para tërmetit. Ky do të jetë udhëtimi i tij i parë në Turqi që kur mori detyrën më shumë se dy vjet më parë.

Ai do të udhëtojë në Hatay për të parë përpjekjet humanitare përpara se të udhëtojë për të takuar presidentin Rexhep Tajip Erdogan të hënën.

Dyshja pritet të diskutojnë çështje duke përfshirë refuzimin e Turqisë për të ratifikuar kërkesat e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO. /koha