U pengon gjuha shqipe edhe në zarf

Avokati tetovar, Harun Behadini, është ankuar se Posta e Maqedonisë nuk merr parasysh adresat e dërgesave, kur në të njëjtat shënohet adresa në gjuhën shqipe.

“Adresën në dërgesë e kam shënuar në gjuhën shqipe dhe më pas më ka ardhur e njëjta dërgesë me vulë se adresa e njëjtë nuk ekziston.

Kjo është hera e parë që ndodh që të më kthehet kjo përgjigje, sepse në të kaluarën kam dërguar dërgesa ndonjëherë në gjuhën shqipe,

ndonjëherë në gjuhën maqedonase, por dërgesa ka arritur.

Një rast i këtillë më ka ndodhur për herë të parë dhe mendoj se postierit i ka penguar gjuha shqipe pse ka qenë e shënuar dhe e ka kthyer dërgesën”, thotë avokati Behadini

Ai këtyre ditëve ka nisur një dokument për në Gjykatën Themelore Shkupi – 1 në Shkup

Në ndërkohë, nga kabineti i drejtorit të Postës së Maqedonisë, Fadis Rexhepi, thonë se dërgesa është kthyer vetëm sepse ka qenë pa adresë të saktë të shënuar.

“Në bazë të ankesës së lëshuar, shërbimet profesionale të Postës së Maqedonisë e shqyrtuan letrën dhe u konstatua se në bazë të nenit 25 nga pjesa 3 nga kushtet për pranim të dërgesave postare nga Rregullorja e kushteve të përgjithshme për sigurimin e shërbimeve universale për çdo dërgesë, adresa e pranuesit patjetër duhet të jete e qartë dhe duhet t’i përmbajë të gjitha të dhënat, si emri dhe mbiemri për persona fizik, emri i pranuesit për persona juridik, rruga dhe numri, numri i hyrjes, kati dhe banesa, vendbanimi, qyteti, numri postar, emri i postës dorëzuese, që të mund dërgesa të jetë e dorëzuar saktë dhe shpejt. Në bazë të kësaj, mund të konstatohet që adresa është e paplotësuar”, thonë nga kabineti i drejtorit të Postave të Maqedonisë. (U.H)