Udhëheqësi i njohur palestinez, Marwan Barghouti është përballur me sulme brutale brenda burgjeve izraelite, përfshirë tre rrahje në më pak se një muaj, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, fushata ndërkombëtare “Lironi Marwanin” tha se Barghouti iu nënshtrua sulmeve të reja brutale ndërsa mbahej në izolim në burgjet “Megiddo” dhe “Ramon” në Izraelin verior dhe jugor, në prag të 24-vjetorit të arrestimit së tij.
Barghouti u arrestua në vitin 2002 nga forcat izraelite dhe aktualisht po vuan një dënim me burgim të përjetshëm për akuzat e “drejtimit të grupeve të armatosura që vranë dhe plagosën izraelitë” gjatë intifadës së dytë palestineze.
Fushata tha se Barghouti i tha avokatit të tij, i cili e vizitoi të dielën, se ai duroi “sulme brutale fizike në javët e fundit”.
Njësitë e shtypjes së burgjeve e sulmuan atë tre herë, më 8 prill, 24 dhe 25 mars, duke përdorur metoda të ndryshme force, duke shkaktuar lëndime të shumta dhe gjakderdhje në të gjithë trupin e tij pa ofruar trajtim mjekësor, shtoi grupi.
Sipas fushatës, Barghouti është përballur me një “seri sistematike sulmesh të mëparshme brutale” që kanë vazhduar që nga fillimi i luftës në Gaza. Grupi u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut që të “përmbushin detyrën e tyre” për të mbrojtur Barghoutin dhe të gjithë të burgosurit palestinezë.
Barghouti ka kaluar më shumë se 32 vjet në burgjet izraelite, tha fushata.
Më 18 shkurt, Itamar Ben-Gvir, ministri i sigurisë kombëtare i ekstremit të djathtë i Izraelit, hyri në qelinë e Barghoutit dhe e kërcënoi se do ta vriste, sipas videos së publikuar në atë kohë nga mediat izraelite.
Pavarësisht lirimit të mijëra të burgosurve palestinezë në marrëveshjet e shkëmbimit më së fundmi sipas një marrëveshjeje armëpushimi që hyri në fuqi më 10 tetor, Izraeli ka refuzuar të lirojë Barghoutin dhe të burgosur të tjerë të profilit të lartë.
Abuzimet ndaj të burgosurve janë përshkallëzuar së bashku me luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka vazhduar për dy vjet që nga tetori i vitit 2023. Autoritetet palestineze vlerësojnë se mbi 9.300 palestinezë mbahen në burgjet izraelite, përfshirë më shumë se 50 gra dhe rreth 350 fëmijë, përveç atyre që mbahen në kampet e ushtrisë izraelite.
Dhuna nga forcat izraelite dhe pushtuesit në Bregun Perëndimor është intensifikuar që nga fillimi i gjenocidit në Rripin e Gazës në tetor 2023, duke vrarë mbi 1.148 palestinezë, duke plagosur 11.750 dhe duke çuar në 22 mijë arrestime.

