Patriarkana Latine e Kudsit tha sot se qindra palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës në sulmet izraelite pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor, transmeton Anadolu.
Patriarkët dhe krerët e kishave në Kuds thanë në një mesazh për Krishtlindje se armëpushimi u ka lejuar shumë komuniteteve të krishtera të “festojnë më publikisht gëzimet e Krishtlindjeve” këtë vit.
“Pavarësisht një ndërprerjeje të deklaruar të armiqësive, qindra të tjerë kanë vazhduar të vriten ose të pësojnë lëndime të rënda”, shtuan ata.
“Shumë të tjerë kanë përjetuar sulme të dhunshme kundër vetes, pronave të tyre dhe lirive të tyre, jo vetëm në Tokën e Shenjtë, por edhe në vendet fqinje”, tha Patriarkana Latine e Kudsit.
Udhëheqësit e kishës shprehën solidaritet me “të gjithë ata që vuajnë dhe janë të dëshpëruar dhe bënë thirrje për avokimin për “një paqe të vërtetë dhe të drejtë” në Palestinë dhe në botë.
Ushtria izraelite ka kryer qindra shkelje të armëpushimit në Rripin e Gazës, duke rezultuar në vrasjen e 405 palestinezëve dhe plagosjen e 1.115 të tjerëve.
Ushtria izraelite ka vrarë gati 71 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë në sulmet në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023.






