Ballina Artikuj Udhëtimi i zemrës drejt Allahut të Madhëruar

Udhëtimi i zemrës drejt Allahut të Madhëruar

Hoxhë Sadik Avdiu

Në këtë botë të zhurmshme, ku njeriu shpesh humbet mes angazhimeve dhe dëshirave të pafundme, ekziston një udhëtim i veçantë që nuk bëhet me këmbë, por me zemër. Është udhëtimi më i rëndësishëm i jetës, udhëtimi drejt Allahut të Madhëruar.
Ky udhëtim fillon me vetëdijësim dhe kthim të sinqertë. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
“Dhe pendohuni ( kthehuni ) tek Allahu të gjithë, o besimtarë, që të shpëtoni.” (En-Nur: 31)
Zemra është qendra e këtij udhëtimi. I Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ, ka thënë:
“Vërtet në trup është një copë mishi; nëse ajo përmirësohet, përmirësohet i gjithë trupi, e nëse prishet, prishet i gjithë trupi. Ajo është zemra.” (Buhariu dhe Muslimi)
Nëse ajo është e pastër, edhe jeta e njeriut bëhet e drejtë.
Zemra, në natyrën e saj, është e etur për Zotin e saj.
Ajo nuk gjen qetësi në pasuri, as në lavdi, e as në kënaqësi kalimtare. Qetësia e saj e vërtetë dhe e plotë gjendet vetëm në përmendjen e Allahut. . Ai thotë:
“Me të vërtetë, me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.” (Er-Ra’d: 28)
Ibnul Kajimi – Allahu e mëshiroftë ka thënë:
“Në zemër ka një zbrazëti që nuk e mbush asgjë përveç afrimit me Allahun.”
Ndërsa Hasan el-Basriu Allahu e mëshiroftë thoshte:
“Zemra nuk ndriçohet me diçka më të mirë se sa me përmendjen e Allahut dhe nuk errësohet me diçka më të keqe se sa me mëkatet.”
Sa herë që zemra largohet nga Ai, ajo ndjen zbrazëti; e sa herë që afrohet, ajo mbushet me dritë dhe qetësi.
Ky udhëtim kërkon përpjekje dhe sinqeritet. Ai që e kërkon Allahun me zemër të pastër, do ta gjejë afërsinë e Tij. Një hadith kudsij na e përshkruan këtë afërsi:
“Nëse robi Im më afrohet një pëllëmbë, Unë i afrohem një krah; nëse më afrohet duke ecur, Unë i afrohem duke vrapuar.” (Buhariu)
Në këtë rrugë, njeriu mëson të pastrojë zemrën nga mendjemadhësia, urrejtja dhe hipokrizia. Ai e ushqen atë me besim, shpresë dhe frikë të balancuar ndaj Zotit. Ai e ndriçon atë me Kuran dhe e forcon me lutje.
Imam Gazaliu Allahu e mëshiroftë ka thënë:
“Pastrimi i zemrës nga cilësitë e këqija dhe zbukurimi i saj me cilësi të mira është rruga e shpëtimit.”
Më e bukura e këtij udhëtimi është se nuk ka fund në këtë botë. Sa më shumë që njeriu afrohet, aq më shumë dëshiron të afrohet edhe më tepër. Dhe kulmi i këtij udhëtimi është takimi me Allahun në botën tjetër, ku zemrat që e kanë dashur Atë, do të gjejnë kënaqësinë më të madhe.
Prandaj, le ta fillojmë këtë udhëtim sot. Le ta zgjojmë zemrën tonë dhe ta drejtojmë atë drejt Krijuesit të saj. Sepse në fund, nuk ka sukses më të madh se sa të arrish tek Allahu me një zemër të pastër.
Hoxhë Sadik Avdiu