UEFA zbut rregullin e pronësisë së shumë klubeve, lejon Milanin të luajë në Evropë

Bordi i Kontrollit Financiar të Klubeve (CFCB) i UEFA-s ka hapur rrugën për disa skuadra që të marrin pjesë në garat evropiane të edicionit të ardhshëm. Ky organ i shtëpisë evropiane të futbollit zbuti rregullat për pronësinë e shumë klubeve, njoftoi UEFA të premten.

Aston Villa dhe Vitoria Giumaraes, Brighton dhe Royal Union Saint-Gilloise, Milani dhe Toulouse, ishin në procedurë për shkak të një konflikti të mundshëm interes, sipas rregullit të pronësisë së shumë klubeve. Milani dhe Toulouse janë në pronësi të kompanisë “RedBird Capital Partners” që posedon shumicën e aksioneve, ndërsa pronarët e Aston Villas, Nassef Sawiris dhe Wes Edens kanë aksione në klubin portugez Vitoria.

Pronari i Brightonit, Tony Bloom ka aksione edhe në Belgjikë, te skuadra Royal Union Saint-Gilloise.

“Pas zbatimit të ndryshimeve të rëndësishme për klubet dhe investitorët e tyre, Bordi i CFCB miratoi kërkesën dhe lejoi klubet e lartpërmendura të marrin pjesë në garat e klubeve të UEFA-s për edicionin 2023/24”, tha UEFA.

Rregullat thonë se asnjë klub nuk mund të mbajë ose të tregtojë letra me vlerë ose aksione të ndonjë klubi tjetër që merr pjesë në garat e UEFA-s dhe se asnjë drejtues nuk mund të jetë anëtar i ndonjë klubi tjetër që merr pjesë në garat e UEFA-s. Për më tepër asnjë person nuk ka fuqinë të “përfshihet njëkohësisht” në menaxhimin, administrimin apo performancën sportive të ndonjë klubi dhe ata nuk duhet të kenë ndonjë “kontroll apo ndikim vendimtar” mbi më shumë se një klub.

“Këto ndryshime kufizojnë ndjeshëm ndikimin e investitorëve dhe fuqinë vendimmarrëse mbi më shumë se një klub, duke siguruar respektimin e rregullit të pronësisë së shumë klubeve”, shtoi UEFA.

Brightoni tani mund të bëjë debutimin evropian, në Ligën e Evropës në shtator, pasi ka bindur panelin financiar të UEFA-s se pronari i tij nuk ka ndikim vendimtar në Union Saint-Gilloise. Klubi belg është në fazën kualifikuese të Ligës së Evropës.

Fituesi i Kupës së Francës, Toulouse, shkon në Ligën e Evropës, ndërsa Milani do të paraqitet në Ligën e Kampionëve. Pronarët amerikanë të Aston Villas reduktuan aksionet e tyre javën e kaluar në klubin portugez Vitoria Guimaraes dhe të dyja skuadrat tani do të hyjnë në raundet kualifikuese të Ligës së Konferencës.

UEFA hartoi rregulla për pronësinë e shumë klubeve 25 vjet më parë për të mbrojtur integritetin e garave të saj, kur skuadrat mund të luanin kundër njëra-tjetrës gjatë një edicioni. Rregulli i pronësisë së shumë klubeve u testua më së shumti në vitin 2017 nga Leipzigu dhe Salzburgu, të cilat UEFA i lejoi të hynin së bashku në Ligën e Kampionëve, pavarësisht se të dy klubet ishin pjesë e grupit “Red Bull”. Edhe pse zbuti rregullat dhe lejoi klubet e lartpërmendura të paraqiten në garat e saj, UEFA sërish u kujdes që atyre t’ua bëjë një ndalesë tjetër.

“Klubet nuk do të transferojnë lojtarë te njëri-tjetri, qoftë në mënyrë të përhershme apo të huazuar, direkt apo indirekt, deri në shtator të vitit 2024. Po ashtu ato nuk kanë të drejtën as të ndajnë bazën e të dhënave të skautimit”, thuhet në deklaratë të UEFA-s.