Ukraina furnizohet me avionë të periudhës sovjetike

Sllovakia e ka furnizuar Ukrainën me katër avionë luftarakë të tipit MIG-29, ka bërë të ditur ministri sllovak i Mbrojtjes, Jaroslav Nad, raportoi Apnews të enjten.

Ai tha se avionët fluturuan nga Sllovakia në Ukrainë nga pilotë ukrainas, me ndihmën e forcave sllovake, ndërsa pjesa tjetër e avionëve do të dorëzohet javën e ardhshme.

“I falënderoj të përfshirët për një punë fantastike e profesionale”, tha ministri Nad.

Ai deklaroi se nuk do të jepen detaje shtesë mbi dërgimin për çështje të sigurisë.

Të premten, qeveria sllovake miratoi planin për t’i dhënë Ukrainës flotën e saj prej 13 avionësh të epokës sovjetike, duke u bërë anëtarja e dytë e NATO-s që i dëgjoi kërkesat e Ukrainës për avionë të tillë.

Sllovakia kishte ndërprerë përdorimin e MIG-29 për shkak të mungesës së pjesëve rezervë dhe të ekspertizës për të ndihmuar në mirëmbajtjen e tyre. Polonia dhe Republika Çeke, si anëtare të NATO-s, kanë ndërhyrë më pas për të monitoruar hapësirën ajrore sllovake. /koha