Ukraina kërkon leje për shitjen e drithit nga Deti i Zi

Autoritetet ukrainase i kanë nisur negociatat me partnerët për zgjerimin e iniciativës për drithërat që transportohen kah Deti i Zi.

Një burim i tha Reutersit se Ukraina po tenton të vazhdojë shitjen e grurit nëpërmjet Detit të Zi në Evropë, por që këtë ende s’e ka biseduar me Moskën.

Rusia ia ka bllokuar Kievit portet detare kur nisi pushtimin në 2022-s, por që Ukraina tha se partnerët e saj po bisedojnë me Moskën për ta lejuar shitjen e grurit.

“Situata me negociatat është mjaft e ndërlikuar. Tani nuk varet shumë nga ne, por nga partnerët”, deklaroi burimi për mediumin.

Shitja e grurit nga Deti i Zi u ndërmjetësua nga Kombet e Bashkuara dhe nga Turqia në korrik të vitit të kaluar.

Yuriy Vaskov , zëvendësministër në Ukrainë, tha se Kievi do t’u kërkonte të gjitha palëve të fillonin bisedimet për zgjatjen e marrëveshjes me të paktën një vit dhe se Ukraina donte që qyteti i porteve të Mykolaiv të përfshihej.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha javën e kaluar se Ankaraja po punon shumë për të zgjatur iniciativën, ndërsa Rusia ka sinjalizuar se është pakënaqur me aspektet e marrëveshjes.

Moska tha se do të pranojë të zgjasë marrëveshjen e drithit, vetëm nëse merren parasysh interesat e prodhuesve të saj bujqësorë.

Ukraina është vendi me më së shumti kultura bujqësore në Evropë.

Me nisjen e luftës në Ukrainë, eksporti i drithit stagnoi, me ç’rast çoi në ngritjen e çmimeve të grurit e misrit në Evropë. /koha