Ukraina po heton mbi 9000 raste të krimeve të luftës

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venedictova, ka njoftuar të dielën se janë duke u hetuar më shumë se 9000 raste të krimeve të luftës së Rusisë në Ukrainë, raportoi CNN-i.

Venedictova ka thënë se zyra e saj po hap raste të reja të krimeve të dyshuara të luftës nga forcat ruse me një total prej 9158 çështje penale që përfshijnë krime lufte.

“Ne kemi identifikuar tashmë kriminelë të veçantë të luftës. Ka 15 njerëz në rajonin e Kievit për shembull, 10 prej tyre në Bucha. Ne po i kërkojmë ata përgjegjës për torturë, përdhunim dhe plaçkitje”, ka thënë ajo.

Prokurorët ukrainas emëruan dhjetë ushtarë rusë javën e kaluar si të dyshuar për krimet në Bucha.

Në lidhje me viktimat në Bucha , Venediktova tha se disa trupa nuk mund të identifikohen dhe janë mbledhur mostra të ADN-së.

“Fatkeqësisht, ne kemi baza për të hapur çdo ditë raste të reja: vdekje të civilëve, bombardime, dëbim të qytetarëve tanë në territoret e pushtuara”, ka shtuar ajo duke thënë se rastet kanë të bëjnë kryesisht me rajonet e Kievit, Chernihivit dhe Sumyt.

Venedictova shtoi se Ukraina po merrte ndihmë ndërkombëtare në hetimet e saj.

“Tani kemi një ekip ekspertësh francezë dhe ekspertë nga Sllovakia. Ne presim ekspertët nga Lituania të martën e ardhshme”, ka përfunduar ajo. /koha