Drejtoria Kryesore e Inteligjencës (GUR) e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës njoftoi se në bazën ajrore pranë qytetit Lipetsk të Rusisë u krye një “operacion special” që shënjestroi avionët luftarakë rusë Su-27 dhe Su-30, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të postuar në llogarinë e saj në mediat sociale, GUR tha se avionët luftarakë Su-27 dhe Su-30 të stacionuar në një bazë ajrore pranë qytetit Lipetsk në rajonin e Lipetsk të Rusisë u goditën në një “operacion special”.
Më tej thuhet se dy avionët e shënjestruar janë djegur. “Avionët Su-27 dhe Su-30 me numrat e bishtit 12 dhe 82 u shkatërruan falë përgatitjes së kujdesshme, qetësisë dhe profesionalizmit. Planifikimi i operacionit special në aeroportin pranë Lipetskut zgjati dy javë”, theksohet në deklaratë.
Në vazhdim vihet në dukje se kostoja totale e dy avionëve për të cilët pretendohet se janë shkatërruar mund të jetë afërsisht 100 milionë dollarë. GUR ndau imazhe që theksohet se i përkasin sulmeve ndaj avionëve.
– Ukraina: Ushtria ruse nis sulmin me 86 dronë
Sipas një postimi në llogarinë e mediave sociale të Komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës, ushtria ruse kreu sulm ndaj Ukrainës me 86 mjete ajrore pa pilotë (dronë) gjatë natës.
Bëhet e ditur se 58 dronë u neutralizuan nga forcat e mbrojtjes ajrore ndërsa të tjerët goditën 12 vende të ndryshme në vend. Në një deklaratë nga Shërbimet Shtetërore të Emergjencave të Ukrainës (DSNS) thuhet se Rusia kreu sulm ajror në qytetin e Odesës.
Infrastruktura energjetike e qytetit u dëmtua dhe një person u plagos. Rusia shënjestroi infrastrukturën civile në rajonin Dnipropetrovsk, thuhet në deklaratë.


