Uragani Erick ka mbërritur në shtetin Oaxaca të Meksikës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në të gjithë rajonin përpara se të dobësohej në një stuhi tropikale, raporton Anadolu.
Në të gjithë shtetin Oaxaca janë raportuar pemë dhe shtylla të rrëzuara, rritje të nivelit të detit, rrugë të përmbytura dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Në qytezën Santa Maria Tonameca shtëpitë u shkatërruan, rrugët u bllokuan dhe ndërprerjet e energjisë prekën afër 123 mijë njerëz.
Në shtetin Guerro, i cili historikisht ka qenë i ndjeshëm ndaj uraganeve, 521 strehimore u vendosën në zonat më të prekura.
Në Oaxaca, 14 komuna kanë raportuar dëme më të mëdha.
Ekipet e emergjencës kanë nisur vlerësimin e dëmeve dhe përpjekjet e ndihmës pas stuhisë.
Qeveria vendosi 21.508 trupa ushtarake, respektivisht 9.632 në Oaxaca dhe 11.876 në Guerrero, ndërsa Marina vendosi 9.063 trupa.
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik e ka klasifikuar uraganin si “jashtëzakonisht të rrezikshëm” me erëra të qëndrueshme që arrinin 205 kilometra në orë.
Presidentja Claudia Sheinbaum u bëri thirrje familjeve të zhvendoseshin në strehimore dhe të mos dalin jashtë, disa orë para impaktit.
“Të gjitha aktivitetet janë pezulluar plotësisht. Rekomandimet janë qëndrohet në shtëpi, të mos dilet jashtë dhe të qëndrohet së bashku si familje. Nëse jetoni pranë lumenjve ose në zona të ulëta, zhvendosuni në strehimore”, tha ajo.







