Ushtria izraelite ka konfirmuar se ka kryer një sulm ajror pranë pallatit presidencial në kryeqytetin sirian Damask, duke përforcuar një deklaratë të mëparshme nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Sipas ushtrisë, avionët luftarakë izraelitë goditën “zonën pranë” pallatit të presidentit sirian Ahmed al-Sharaa.
“Kjo është një mesazh i qartë për regjimin sirian: Nuk do të lejojmë vendosjen e forcave [siriane] në jug të Damaskut apo ndonjë kërcënim ndaj komunitetit druz,” tha Netanyahu në një deklaratë të përbashkët me ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz.
Këto janë sulmet e dyta izraelite ndaj Sirisë brenda dy ditësh, si pjesë e angazhimit të Izraelit për të mbrojtur pakicën druze, pas përleshjeve sektare që lanë dhjetëra të vdekur në jug të Damaskut.
Përleshjet me komunitetin druz nisën rreth mesnatës së së hënës, pasi në rrjetet sociale qarkulloi një audio ku një burrë dëgjohet duke kritikuar profetin Muhamed të islamit. Audioja iu atribuua dijetarit druz Marwan Kiwan, por ky i fundit, në një video të publikuar në rrjet, mohoi se ishte autori i mesazhit që zemëroi shumë myslimanë sunitë.






