Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ushtria izraelite shemb shtëpi në jug të Libanit, pavarësisht marrëveshjes kornizë

Ushtria izraelite shemb shtëpi në jug të Libanit, pavarësisht marrëveshjes kornizë

Ushtria izraelite ka shembur disa shtëpi në qytetin jugor libanez Aitaroun dhe ka kryer një shpërthim në qytetin Houla, në mes të shkeljeve të vazhdueshme të një marrëveshjeje kornizë të nënshkruar midis Bejrutit dhe Tel Avivit, transmeton Anadolu.

Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve NNA raportoi se forcat izraelite hodhën në erë disa shtëpi në Aitaroun. Forcat izraelite gjithashtu kryen një shpërthim gjatë natës në Houla në distriktin Marjayoun, tha agjencia, pa specifikuar objektivin.

Operacionet përkojnë me fluturimet e vazhdueshme të dronëve izraelitë mbi periferitë jugore të Bejrutit.

Incidentet e fundit ndodhën pavarësisht një armëpushimi në fuqi dhe një marrëveshjeje kornizë të sponsorizuar nga SHBA-ja, të nënshkruar më 26 qershor midis Libanit dhe Izraelit, e cila parashikon tërheqje graduale izraelite nga i gjithë territori libanez, duke filluar me dy zona pilot të paspecifikuara.

Ushtria izraelite ka vazhduar operacionet ushtarake në Liban që nga 2 marsi, duke vrarë më shumë se 4.300 persona dhe duke plagosur mbi 12 mijë të tjerë, sipas shifrave zyrtare.

Forcat izraelite vazhdojnë të pushtojnë zona në jug të Libanit, disa të mbajtura për dekada dhe të tjera të marra gjatë luftës 2023-2024 ndërsa kanë avancuar më shumë se 10 kilometra në territorin libanez gjatë ofensivës së fundit.