Ushtria e Guinesë-Bisau rrëzoi nga posti presidentin Umaro Sissoco Embalo sot dhe mbylli kufijtë tokësorë, detarë dhe ajrorë të vendit, duke thënë se ka zbuluar një komplot për “destabilizimin” e vendit, transmeton Anadolu.
Një grup oficerësh ushtarakë, të identifikuar si “Komanda e Lartë Ushtarake për Rikthimin e Sigurisë Kombëtare dhe Rendit Publik”, lexoi një deklaratë në selinë e forcave të armatosura, e cila u transmetua në televizionin shtetëror TGB.
Oficerët thanë se kanë “marrë nën kontroll të gjitha pushtetet e vendit”.
Ushtria tha se po përgjigjet ndaj zbulimit të një komploti për të “destabilizuar” Guinenë-Bisau, në të cilin përfshiheshin një “skemë operative” e politikanëve vendas, një “baron i njohur i drogës”, shtetas vendas dhe të huaj, si edhe përpjekje për të manipuluar rezultatet e zgjedhjeve.
Oficerët thanë se shërbimi i inteligjencës i shtetit ka zbuluar planin, përfshirë një magazinë me armë lufte.
Grupi ushtarak tha se ka rrëzuar presidentin Umaro Sissoco Embalo dhe ka mbyllur të gjitha institucionet “deri në njoftimin e radhës”.
Ushtarët pezulluan të gjitha aktivitetet mediatike, ndaluan “menjëherë” procesin zgjedhor në vijim, mbyllën të gjithë kufijtë dhe vendosën një orë policore nëntëorëshe duke filluar nga ora 21:00 me kohën lokale deri në njoftimin e radhës.
Ata u bënë thirrje qytetarëve të shtetit të Afrikës Perëndimore të qëndrojnë të qetë, të bashkëpunojnë dhe ta “kuptojnë” situatën “përballë kësaj gjendjeje të rëndë të imponuar nga emergjenca kombëtare”.
Marrja e pushtetit nga ushtria erdhi pas raportimeve për të shtëna pranë pallatit presidencial.
Si Fernando Dias, kandidat i pavarur, ashtu edhe kampi i presidentit aktual Embalo pretenduan fitoren të hënën në zgjedhjet presidenciale të mbajtura gjatë fundjavës, ndërsa vendi priste shpalljen e rezultateve.
Transmetuesi francez RFI tha se Dias dhe ish-kryeministri Domingos Simoes Pereira, i cili e mbështeti atë, u arrestuan dhe u dërguan në Bazën Ajrore.
Pereira nga Partia Afrikane për Pavarësinë e Guinesë dhe Kepit të Gjelbër (PAIGC), e cila udhëhoqi lëvizjen nacionaliste për pavarësinë nga Portugalia në vitin 1974, u përjashtua nga pjesëmarrja këtë vit pasi autoritetet thanë se kishte dorëzuar dokumentet me vonesë.
Më herët, Embalo i tha gazetës franceze “Jeune Afrique” se ai u arrestua rreth mesditës të mërkurën ndërsa ishte në zyrën e tij në pallatin presidencial, së bashku me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura gjeneral Biague Na Ntan, zëvendësin e tij gjeneral Mamadou Toure dhe ministrin e Brendshëm Botche Cande.
Ai tha se nuk është përdorur dhunë ndaj tij gjatë asaj që ai e quajti “grusht shteti” të udhëhequr nga komandanti i forcave tokësore.
Të shtëna armësh u dëgjuan gjithashtu rreth mesditës pranë zyrave të komisionit zgjedhor, sipas burimeve të cituara nga media franceze.
Më herët sot, Dias i kishte bërë thirrje ushtrisë të mbante neutralitetin dhe të qëndronte larg procesit zgjedhor, duke lejuar që ai të vazhdonte ashtu siç kishte filluar, ndërsa përsëriti pretendimin e tij për fitore.
“Ne nuk po kërkojmë asgjë,” u tha ai gazetarëve, duke shtuar se do të priste rezultatet zyrtare, të cilat duhej të shpalleshin të enjten.





