Vaksinimi antiCOVID-19 në Kosovë, faza e parë është në përfundim e sipër

Janë bërë mbi dy javë që ka filluar procesi i vaksinimit antiCOVID-19 në Kosovë, proces ky që filloi me personelin shëndetësor dhe vazhdoi me personat mbi moshën 80 vjeçare.

Sot procesi i vaksinimit antiCOVID-19 po vazhdon me të moshuarit në shtëpitë e kujdesit dhe punëtorët socialë që kujdesen për ta, në komunat ku ka Qendra të tilla, Prishtinë, Suharekë, Skenderaj, Istog dhe Graçanicë.

Po sot do të vaksinohen pacientët në dializë, ndërkaq sipas Planit Shtetëror të vaksinimit antiCOVID-19, faza e parë e cila është në kohëzgjatje prej 20 ditësh është në përfundim e sipër, pasi në fund të kësaj faze janë personat të cilët sot e kanë filluar vaksinimin.

“Të gjithë punëtorët shëndetësorë, banorët në shtëpitë e pleqve dhe tërë punonjësit socialë, grup mosha mbi 80 vjeç si dhe personat me sëmundje kronike. Numri i përgjithshëm i grupit të synuar në fazën e parë është 54 mijë. Kohëzgjatja e fazës së parë do të jetë 20 ditë”, thuhet në planin shtetërorë për fazën e parë të vaksinimit, e që synohet vaksinimi i 3 për qind të popullatës.

Siç bëhet e ditur në planin shtetërorë, vaksinimi i banorëve dhe punonjësve socialë në shtëpitë e moshuarve do të kryhet nga ekipet mobile.

Ndërkaq, në fazën e dytë synohet vaksinimi i 17 për qind të popullsisë së përgjithshme të vendit.

Sipas planit shtetërorë, në këtë fazë do të vaksinohen grup mosha nga 65-79 vjeç, personat e mbetur me sëmundje kronike, mësuesit si dhe pjesëtarët e Forcës së sigurisë të përfshirë drejtpërdrejt në menaxhimin e COVID-19.

“Vaksinimi gjatë kësaj faze do të bëhet në shtatë vende: në Qendrën e Zhvillimit të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, dhe në Institutet Rajonale të Shëndetit Publik të gjashtë rajoneve (Pejë, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan dhe Ferizaj). Në anën tjetër për Forcat e Sigurisë vaksinimi do të kryhet në objektet ekzistuese shëndetësore të Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në planin shtetërorë.

Ndërsa, në fazën e tretë të vaksinimit kundër COVID-19, planifikohen të vaksinohen afërsisht 50 për qind e popullatës.

“Grupet e synuara të identifikuara për këtë fazë sipas renditjes në bazë të prioritetit janë: mosha prej 40-64 vjeç (18.4 për qind), popullsia e mbetur me kushte të theksuara shëndetësore (5.3 për qind), popullsia e sektorit publik (0,82 për qind) dhe popullsia e mbetur prej 17-39 vjeç. Vaksinimi në këtë fazë do të organizohet në të gjitha insititucionet e kujdesit shëndetësor parësor në 38 komuna të vendit, ku ofrohen shërbimet e rregullta të imunizimit”, thuhet ndër të tjera në planin shtetërorë të vaksinimi antiCOVID-19.