Ish-Emiri i Katarit, edhe i vdekur me përulësi drejt Zotit
Ish-emiri i Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani, njeriu i konsideruar si arkitekti i transformimit të Katarit në një nga shtetet më të pasura dhe me ndikim ndërkombëtar në botë, u varros në Doha, pas vdekjes së tij në moshën 74 vjeç.
Vdekja e tij u njoftua të dielën në mëngjes dhe shërbimi mortor u mbajt pas namazit të pasdites, në xhaminë Imam Mohammed ibn Abd al-Wahhab në kryeqytetin e Katarit.
Një turmë besimtarësh, të veshur me veshje tradicionale të Katarit, morën pjesë në falen e xhenazes për të ndjerin, duke qëndruar përpara trupit të tij, i cili ishte mbështjellë sipas normave islame.
Më pas, anëtarë të ngushtë të familjes së tij, përfshirë djalin e tij dhe emirin aktual të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, e nxorën arkivolin nga xhamia. Ish-emiri u varros në varrezat Lusail, në veri të Dohas.
“Një ceremoni e thjeshtë, siç e kërkonte jeta e tij”
Zain Basrawi i Al Jazeera-s e përshkroi ceremoninë si “të përulur”, duke vënë në dukje se Sheikh Hamad u varros në një varr të thjeshtë.
“Thjeshtësia e ceremonisë ishte në harmoni të plotë si me traditën islame ashtu edhe me mënyrën se si ai e jetoi jetën e tij. Ai nuk ishte i interesuar në shfaqjen e pasurisë, por u përqendrua në mirëqenien e popullit të tij”, tha ai.

Njeriu që ndryshoi Katarin
Gjatë sundimit të tij, nga viti 1995 deri në vitin 2013, produkti i brendshëm bruto (PBB) i Katarit u rrit më shumë se 24-fish, kryesisht falë një strategjie për të shfrytëzuar rezervat e mëdha të gazit natyror të vendit.
Deri në vitin 2006, shteti i vogël i Gjirit ishte bërë eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror të lëngshëm (LNG), duke fituar fuqi të madhe ekonomike.
Nga fuqi rajonale në ndërmjetës global
Sot, ndikimi i Katarit shtrihet shumë përtej Lindjes së Mesme. Vendi ka marrë një rol ndërmjetësues në disa kriza ndërkombëtare, duke përfshirë tensionet e vazhdueshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Në vitin 2022, Katari priti Kupën e Botës FIFA, me Sheikh Hamadin që u brohorit nga mijëra tifozë në ceremoninë e hapjes së turneut. /tesheshi.com/






