Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Vatikani paralajmëron për një përshkallëzim global për shkak të “luftës parandaluese”

Vatikani paralajmëron për një përshkallëzim global për shkak të “luftës parandaluese”

Pietro Parolin

Vatikani ka paralajmëruar se bota rrezikon të “përfshihet nga flakët” nëse shtetet vazhdojnë të përqafojnë logjikën e luftës parandaluese, transmeton Anadolu.

Duke folur për Vatican News, sekretari i Shtetit i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, shprehu keqardhje të thellë për përshkallëzimin e fundit ushtarak në Lindjen e Mesme.

Duke iu referuar sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, Parolin kritikoi largimin nga Karta e OKB-së, duke theksuar se “forca e ligjit është zëvendësuar nga ligji i forcës”, që sipas tij tregon se komuniteti ndërkombëtar po përballet me një “erozion të së drejtës ndërkombëtare”, ku paqja po kërkohet gabimisht “përmes armëve”.

Kardinali, sipas raportit, hodhi poshtë justifikimin e “luftës parandaluese” për të ndaluar prodhimin e raketave, duke argumentuar se veprime të tilla duhet të jenë vetëm “zgjidhja e fundit dhe më e rëndë” brenda një kornize shumëpalëshe.

Ai paralajmëroi se po konsolidohet një “multipolarizëm i shënuar nga primati i fuqisë”, i cili po çon në një “krizë të thellë” në marrëdhëniet diplomatike.

“Nuk ka të vdekur të klasit të parë dhe të klasit të dytë”, tha Parolin, duke bërë thirrje për mbrojtjen e jetës së civilëve dhe për një rikthim te “puna e vështirë e negociatave”.

Në përfundim, ai u bëri thirrje liderëve botërorë të dëgjojnë apelin e Papës për të “prekur zemrat e atyre që marrin vendime”.