Vdekja – jeta mes kësaj bote dhe tjetrës

Kasam Muhameti

Krijesat e Allahut xh. sh. u nënshtrohen disa ligjeve dhe proceseve. Meqë njeriu është krijesa më e bukur e Tij, atëherë në fokus të këtij punimi do ta kemi pikërisht njeriun, i cili në fakt përjeton disa faza: jetën në bark të nënës, jetën në këtë botë, jetën nga momenti i vdekjes (e ashtuquajtur jeta në varreza), jetën pas ringjalljes – e amshueshme.

Që në fillim të kësaj trajtese duhet ditur se procesit jetësor i paraprin vdekja:
“Si e mohoni Allahun e dihet se ju ishit të vdekur e Ai ju ngjalli, mandej ju bën të vdisni e pastaj ju ringjall, mandej tek Ai do të ktheheni”? (el Bekare, 28)
Ndërsa qëllimi ynë me këtë rast është që të flasim për disa aspekte të vdekjes. Duke punuar rreth kësaj teme, kam hasur në ajete të shumta kuranore dhe hadithe të Muhamedit a.s., mirëpo duke pasur parasysh natyrën e revistës, jam munduar që t’i zgjedh vetëm disa prej tyre dhe jam përqendruar vetëm në disa çështje që kanë të bëjnë përkitazi me vdekjen.

Vdekja pjesërisht përjetohet edhe në këtë jetë

Duke qenë në gjumë, është e ditur se i humbim ndjenjat e kësaj bote, prandaj edhe mund të themi: aq kohë sa jetojmë në këtë botë, gjysmën e saj e kalojmë në vdekje të pjesërishme: “Allahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes dhe atyre që nuk kanë vdekur, por që janë në gjumë. Pastaj Ai ndal shpirtin
e atij të cilit i është caktuar vdekja, ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. Me të vërtetë, këto janë argumente për njerëzit që mendojnë”. (ez-Zumer,42)
“Dhe Ai është i Cili natën ju bën (pjesërisht) të vdekur (duke qenë në gjumë) dhe e di se çka keni bërë gjatë ditës. Pastaj ju ngjall (zgjon), që të plotësohet koha e caktuar (deri në vdekje definitive). Pastaj te Ai do të ktheheni dhe Ai do t’ju informojë për gjithçka që keni bërë”. (el- Enam 60)

Vetë vdekja është jetë(1)

Sa herë që shkruhet ose flitet për vdekjen, në disa raste na shkon mendja se përfundon gjithçka me ata që vdesin. Nisur nga fakti që në gjuhën shqipe sa i përket kësaj çështjeje përdoren disa shprehje: shpeshherë vdekje, pastaj: shuarje, ndarje nga jeta, ndërrim i jetës, etj., si dhe duke i pasur parasysh edhe ndryshimet dhe proceset që zhvillohen nga momenti kur vdes njeriu ose ndonjë krijesë tjetër: shtangimi, nxirja, zverdhja, më pastaj’ asgjësimi i trupit”,(2) këto aspekte ndikojnë që të shfaqen konfuzione të ndryshme, kuptohet nga ata që nuk kanë njohuri të mirëfilltë fetare – islame. Sa për kujtim; nuk ishte aspak vështirë për Allahun xh. sh. që fillimisht krijoi gjithësinë duke mos ekzistuar ajo, krijoi krijesa të shumta dhe të llojllojshme në të, po ashtu nuk është vështirë për Të që t’i shuajë dhe t’i ringjallë përsëri ato.

Ndërrimi i jetës – shprehje më e përshtatshme

Sikur të mos kishim udhëzime nga Kurani fisnik dhe hadithet e Muhamedit a.s., natyrisht se mendja e njeriut është tejet e dobët për të perceptuar shumë çështje, ashtu edhe: parakrijimin, krijimin, shkatërrimin (kataklizmën), ringjalljen. Mirëpo, udhëzimet në fjalë, ashtu edhe ato të pejgamberëve të mëparshëm a.s., na ndihmojnë që t’i kuptojmë dhe të bindemi për gjërat që shqisat tona nuk mund t’i arrijnë.(3) Njeriu është i përbërë nga materia konkrete apo lëndore – trupi, si dhe nga abstraktja – shpirtërorja. Nga momenti kur njeriu vdes, shpirti kryen funksion tjetër, shkëputet nga trupi, fillon jeta e Bërzahut, apo jeta në varreza.(4) Trupi
i kthehet origjinës së vet – tokës mëmë, me elementet e së cilës ka jetuar në këtë botë.(5)
“Ne ju kemi krijuar prej tokës, aty do t’ju kthejmë, dhe nga ajo do t’ju nxjerrim edhe një herë tjetër”, (Ta-Ha, 55)
Ndërsa, për ato gjëra që nuk mund t’i kapim me trurin tonë apo s’kemi njohuri të plotë për to, vetëm jemi të obliguar që t’ i besojmë, sikurse për shpirtin: “Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim e juve ju është dhënë vetëm pak dije”. (El-Isra, 85)

I vdekuri dëgjon

“Kur vihet i vdekuri në tabut dhe burrat e bartin në krah, ai nëse ka qenë njeri i mirë thotë: më përgatitni më shpejt, më përgatitni më shpejti, e nëse s’ka qenë njeri i mirë, thotë: “ah, i mjeri unë, ku po më çoni! Këtë zë e dëgjon çdokush përveç njeriut, sikur ta dëgjonte njeriu, do t’ i binte të fikët”. (6)

Përjetimet në varr

Sapo të ndërrojë jetë njeriu, përmes melekëve, menjëherë fillojnë që të zbatohen ligje të të vdekurve. Do t’i përjetojë shpërblimet ose ndëshkimet (jodefinitive), varësisht prej veprave. Për këtë Pejgamberi a.s. është lutur: “O Zot, unë kërkoj mbrojtjen Tënde nga dënimi në varr, nga dënimi në Xhehenem, nga sprovat e jetës dhe të vdekjes, edhe nga sprova me Dexhallin”!(7)
Ndërsa kur varrosej dikush, thoshte: “Lutuni që t’i falen mëkatet vëllait tuaj dhe lutuni që të jetë i fortë, sepse ai tashmë do të pyetet”.(8)
“Pejgamberi a.s. kaloi pranë dy varreve dhe tha: Këta dy janë duke u dënuar, jo për ndonjë gjynah të madh; njëri prej tyre ka qenë i dhënë pas përgojimeve, kurse tjetri nuk ka pasur kujdes gjatë kryerjes së nevojës së vogël-urinimit”.(9)

Përshëndetja e tyre

Muhamedi a.s. kur kalonte pranë varrezave, i përshëndeste me selam, ashtu i porosiste edhe shokët e tij që të veprojnë: “Paqja qoftë mbi ju banorët e këtyre vendeve, besimtarë myslimanë, edhe ne, me vullnetin e Zotit do t’ju bashkohemi juve, e lusim Allahun që të na shpëtojë ne dhe ju”.(10)
Muhamedit a.s. iu mundësua që edhe të bisedojë me të vdekurit Përmes disa transmetimeve, mësojmë se Muhamedi a.s. ka komunikuar me të vdekurit, siç është rasti i udhëtimit të tij të jashtëzakonshëm në Isra dhe Miraxh, kur i pati takuar pejgamberët a.s. dhe u bë imam i tyre, si dhe që diskutoi me Musanë a.s…(11) Në disa raste u drejtohej të vdekurve pranë varrezave dhe u fliste, p.sh. me të vrarët pabesimtarë, gjë që ndodhi pas Betejës së Bedrit. Muhamedi a.s. të vrarët filloi me radhë t’i thirrte me emra” … Ne e kemi gjetur të vërtetën që na ka premtuar Zoti ynë, a e gjetët tashmë edhe ju të vërtetën që e ka premtuar zoti juaj për ju? Umeri r.a. i tha: o i Dërguari i Allahut, a po u flet trupave që nuk kanë shpirt? Pejgamberi a.s. u përgjigj: Pasha Atë që ka shpirtin e Muhamedit në Dorën e Tij, as ju nuk më dëgjoni më mirë se ç’po më dëgjojnë ata, por ata nuk mund të më përgjigjen”(12)

Nga disa dedikime të të gjallëve mund të përfitojnë të vdekurit

Të bëjmë diç për shpirtin e tyre me: dua, sadaka, lexim nga Kurani fisnik, be del (haxhin për .. ta), hajrate, etj(13), njëkohësisht fitojmë sevap edhe ne, prandaj nuk duhet të jemi koprracë. Me dashamirësi duhet t’i përkujtojmë gjithherë. Ku ta dimë, ndoshta me veprimet tona të sinqerta, Allahu xh. sh. me Madhërinë e Tij, na lehtëson gjendjen tonë: “Kur vdes njeriu, puna e tij ndërpritet, përveç tri gjërave: sadakasë së përhershme (hajratit); diturisë prej së cilës kanë dobi të tjerët dhe pasardhësit të mirë që lutet për të vdekurin”.(14)

Përfundim

Në bazë të asaj që u tha më lart, kuptojmë se vdekja nuk është gjë e thjeshtë. Edhe pse ajo është e dhimbshme sipas natyrës dhe pikëpamjes sonë, në anën tjetër, është proces jetësor që lidh këtë botë me botën tjetër. Ndonëse secili njeri në radhë të parë duhet të dijë se është peng i veprave të veta dhe i asaj çka ka punuar në këtë jetë – mirë ose keq, dhe do të shpërblehet ose do të ndëshkohet definitivisht pas ringjalljes në botën tjetër – Ahiret; megjithatë, Allahu na ka lënë edhe një mundësi, na ka lënë edhe një derë hapur: që sa jemi në këtë botë, të kujdesemi për ta, së paku mos
t’i qesim në harresë. Kontakti i atyre që kanë ndërruar jetë, ndërpritet me ne që jemi ende gjallë në këtë jetë, mirëpo ne që jemi në këtë jetë mund të bëjmë ende për ta. Prandaj, çfarëdo vepre të dobishme që bëjmë për të vdekurit tanë dhe në emër të tyre, bëjmë mirë, përfitojnë nga ne, anipse në disa raste (edhe ne myslimanët) bëjmë gabime nga mosdija jonë, duke i përgënjeshtruar, injoruar ose mohuar disa çështje që kanë të bëjnë me të vdekurit, sikur që shprehemi: ishte çka ishte puna e tij, vdiq më … , pse talkinin për të vdekurit, pse ceremoni për të vdekurit, pse ashtu, pse kështu, etj.(15)
Në këtë mënyrë, mund të themi se ju mbesim borxh ose hakut, për atë që secili nga ne do ta dëshironte: që ata të cilët janë në këtë jetë të luten vazhdimisht për ne, atëherë kur do mbesim të vetmuar në varret tona: “Zoti ynë, na fal ne, prindërit tanë dhe të gjithë besimtarët në Ditën kur do të japim llogari”.
Kështu, duke shpresuar në rahmetin e Allahut xh. sh. se ne me ata që kanë ndërruar jetë para nesh do të jemi të falur, të mëshiruar, të shpëtuar, dhe të shpërblyer me Xhenetin Firdeus në botën tjetër.

_________________________
(1) Muhamed Muteveli Sharavi, “Dita e Kiametit”. Botoi BIK Prishtinë 2009, f.37.
(2) Muhamedia.s. perms një hadithi na ka sqaruar:”Tek njeriu është një asht i kërbishtit (axhbudh-dhenbi), të cilin kurrë nuk e ha toka, prej tij do tëringjallet në Ditën e Kiametit”. Sahihu-l-Muslim, hadithi nr. 7342.
(3) MuhamedMuteveliSharavi, “Argumentetlëndorembiekzistimin e Zotit”. Botoi KBI Prishtinë 1997, f.50.
(4) NaimTërnava, “Bazat e Besimit – Akaidi 1”. BotoiMedreseja e Mesme “ALAUDDIN” .Prishtinë, 1994, f.108.
(5) MuhamedMuteveliSharavi, “Mrekullitë e Kuranit”. Botimprivat, Prishtinë,2001, f.130.
(6) Sahihu-l-Buhari, BotoiBibliotekaLexo, Prishtinë, vëll. 3,hadithi nr. 1380, f.481.
(7) Sahihu-l-Buhari, op.cit.,hadithi nr. 1377, f.479.
(8) Suneni i EbuDavudit, hadithi nr.2804.
(9) Sahihu-l-Buhari, op.cit.,hadithi nr. 1378, f.480.
(10) httpsr/ /islamqa.info/ ar/34561,Transmeton Muslimi, hadithi nr.975, qasja e fundit më 12.07.2017, 15.20 h ..
(11) Ibn Kethir, “Kasasu-l-Enbijai”. Botoi Darul Hajri, botimi 7-të, Bejrut 1997, f.544.
(12) Sahihu-I-Buhari, Botimprivat, Dibër, vëll.10, hadithi nr.3976, f.21.
(13) Sami Xheko, “Udhëzime praktike akaidore dhe fikhore”, Botoi BI e Maqedonisë, Shkup 2011, f.259.
(14) Imam Neveviu, “Rijadus-salihin” .Botoi Logos-A, Prishtinë 1997, transmeton Muslimi, hadithi nr. 956, f.341.
(15) Shih për këto sqarime më të hollësishme ngaSherif Ahmeti, “Komente dhe mendime islame”. Botoi Lidhja Prishtinë 1995, f.373-394.

Nga: Hoxhë Kasam Muhameti