Vendet e Grupit G7 përsërisin “dënimin e thellë” të luftës së Rusisë kundër Ukrainës

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të vendeve të Grupit G7 thanë se Rusia “duhet të ndalojë menjëherë sulmin e saj të vazhdueshëm kundër Ukrainës

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Grupit G7 përsëritën “dënimin e tyre të thellë të luftës së paprovokuar dhe të pajustifikueshme që Rusia e ka zgjedhur vetë kundër Ukrainës, të mundësuar nga qeveria bjelloruse”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, si dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, thanë se Rusia “duhet të ndalojë menjëherë sulmin e saj të vazhdueshëm kundër Ukrainës, i cili ka ndikuar në mënyrë dramatike civilët dhe ka shkatërruar infrastrukturën civile, si dhe të tërheq menjëherë forcat ushtarake ruse”.

“Me agresionin e mëtejshëm, presidenti rus Vladimir Putin e ka izoluar Rusinë në botë, siç dëshmohet nga vota dërrmuese në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që dënon agresionin e Rusisë dhe i bën thirrje asaj të tërheqë menjëherë forcat e saj”, theksuan ministrat e Grupit G7.

Duke shprehur “solidaritet të përzemërt me popullin ukrainas dhe simpatinë me të prekurit e kësaj lufte dhe familjet e tyre”, deklarata dënon “sulmet ruse ndaj civilëve ukrainas dhe infrastrukturës civile, duke përfshirë shkollat dhe spitalet”.

Ministrat gjithashtu i bënë thirrje Rusisë që të “përmbushë detyrimin e saj për të respektuar plotësisht ligjin ndërkombëtar humanitar dhe ligjin për të drejtat e njeriut”.

“Agjencive humanitare ukrainase dhe të OKB-së, personelit mjekësor dhe ofruesve joqeveritarë të ndihmës duhet t’u mundësohet qasje e sigurt, e shpejtë dhe e papenguar për njerëzit në nevojë menjëherë në të gjithë territorin e Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, thuhet në deklaratë.

“Ne e pranojmë shpalljen e një marrëveshjeje për qasjen humanitare si një hap të parë të rëndësishëm. Ky do të duhet të zbatohet në mënyrë të besueshme dhe të shpejtë”, theksojnë ministrat e Jashtëm.

Duke i kërkuar Rusisë “të ndalojë sulmet e saj veçanërisht në afërsi të drejtpërdrejtë të termocentraleve bërthamore të Ukrainës”, ata thanë se një sulm i tillë do të përbënte një “shkelje të parimeve të së drejtës ndërkombëtare”.

Viktimat civile

Ministrat e Jashtëm të Grupit G7 thanë gjithashtu se janë “thellësisht të shqetësuar me numrin katastrofik humanitar të shkaktuar nga sulmet e vazhdueshme të Rusisë kundër popullsisë civile të qyteteve të Ukrainës”.

“Ne ritheksojmë se sulmet pa bërë dallim janë të ndaluara nga ligji ndërkombëtar humanitar”, thuhet në deklaratë, ku theksohet:

“Ne do t’i mbajmë përgjegjës ata që janë përgjegjës për krimet e luftës, duke përfshirë përdorimin pa kriter të armëve kundër civilëve, ndërsa mirëpresim punën e vazhdueshme për të hetuar dhe mbledhur prova, përfshirë Prokurorin e Gjykatës Ndërkombëtare Kriminale (ICC)”, shtuan ata.

Deklarata nënvizoi gjithashtu se “shkelja e hapur” e parimeve themelore të paqes nga ana e Rusisë dhe sigurisë ndërkombëtare, si dhe “shkelja e ligjit ndërkombëtar, nuk kanë mbetur pa përgjigje”, duke shtuar se ata do të vazhdojnë “të vendosin sanksione të mëtejshme të rënda në përgjigje të agresionit rus, të mundësuar nga regjimi i Lukashenkës në Bjellorusi”.

Dezinformatat

Në deklaratë thuhet se vendet e Grupit G7 “dënojnë përdorimin e gjerë të dezinformatave nga qeveria ruse dhe mediat e lidhura me të dhe përfaqësuesit e saj për të mbështetur agresionin e saj ushtarak kundër Ukrainës”.

“Publikimi i vazhdueshëm nga ana e tyre e pretendimeve të fabrikuara po vë në rrezik jetë të tjera. Ne angazhohemi të kundërshtojmë fushatën e dezinformimit të Rusisë”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, ministrat ripohojnë “mbështetje dhe angazhim për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, duke u shtrirë në ujërat e saj territoriale”.

“Ne theksojmë se çdo ndryshim i supozuar i statusit i arritur nga agresioni i rinovuar i Rusisë nuk do të njihet”, theksojnë ministrat e Jashtëm të vendeve të Grupit G7. /aa