Kryeminisri i Libanit Saad Hariri është vënë në fokus të mediave për skandalin e publikuar së fundmi ku pretendohet se ky i fundit i ka transferuar vlerë monetare dhe dhurata prej 16 milion dollarësh të dashurës së tij modele Candice van der Merwe. Candice kishte vetëm 5 mijë dollarë të deklaruara vitin e shkuar, por krejt “rastësisht” këtë vit bleu një nga vilat më luksoze në Cape Town të Afrikës së Jugut.
Blerjet e saj luksoze dhe mbushja e llogarive bankare pa i tatimuar të ardhurat i ranë në sy autoriteteve, për çfarë Candice po hetohet për shmangie taksash.
Autoritetet jugafrikane zbuluan “donatorin” e modeles, dhe ai doli të jetë Saad Hariri, kryeministri libanez që sapo ka shpallur një plan emergjent me masa shtrënguese për të shpëtuar ekonominë gjithnjë në rënie Libanit.
Historia e tyre e dashurisë nuk u kursye nga gjykata, ku mesazhet e shkëmbyera u përdorën si dëshmi për prejardhjen e pasurisë së dyshimtë.
Saad Hariri, kryeministri i Libanit, njëherësh njëri nga njerëzit më të pushtetshëm dhe të pasur të Lindjes së Mesme është i martuar dhe ka tre fëmijë. Ai është djali i ish-kryeministrit Rafik Hariri, i cili u vra në vitin 2005. /Mesazhi/








