Vendimi i MINT-it nuk i lëviz çmimet e derivateve

Hyrja në fuqi e vendimit për kufizimin e fitimit të naftëtarëve nuk ka ndikuar në ndryshimin e çmimit të derivateve të naftës në treg. Ato gjatë së martës kanë qenë në vlerën e njëjtë sikurse para vendimit të marrë gjatë së premtes.

Por në Ministrinë e Tregtisë kanë thënë se inspektorë të saj kanë qenë në terren gjatë ditës dhe se do ta analizojnë secilën pikë të karburantit për evidentimin e mënyrës së përcaktimit të çmimeve dhe nëse ato përkojnë me marzhën e caktuar të fitimit.

“Para marrjes së vendimit për marzhën tregtare, inspektorët për 10 ditë kanë qenë në çdo orë dhe gjatë mbrëmjes, duke inspektuar çmimet dhe i njëjti temp i inspektimeve vazhdon në terren. Çmimet janë të ndryshme, siç janë furnizuar vendet e rajonit, janë çmime se si i kanë çmimet referente”, tha ministrja Rozeta Hajdari.

Por ministrja Hajdari nuk u është përgjigjur pyetjeve nëse para ricaktimit të marzhës është bërë ndonjë studim paraprak mbi efektet që dhanë nga vendimet e ngjashme të vitit të shkuar.

“Inspektorati në bazë javore dhe ditore ka parë që nafta ka ndryshime dhe ka informuar kabinetin për ndryshimet dhe jemi të informuar në përditshmëri”.

E për masën, nga Shoqata e Naftëtarëve një ditë më parë është dorëzuar ankesë në Ministri me pretendimin se vendimi do të gjenerojë pasoja shkatërruese për kompanitë e naftës.

Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani, potencoi se Kosova ka çmimet më të ulëta në rajon, me përjashtim të Maqedonisë së Veriut.

“Të gjitha shtetet e tjera janë me çmime më të larta. Qytetarët kanë të drejtë të bëjnë ankesa, por çmimet janë reale në treg. Apeloj te Kurti të tërheqë vendimin. Nëse ndonjë kompani ka abuzuar me çmime, të ndiqet. Çmimi për standardin tonë do të ishte standard 1 euro, por kjo varet nga berza”.

Edhe në marsin e shkuar Qeveria pati caktuar marzhë tregtare për naftëtarët, pas lëvizjeve të çmimeve që ndodhën si pasojë e luftës në Ukrainë. Krahas marzhës, caktoheshin çdo 24 orë edhe çmimet për litër të derivateve.

Por me të skaduar vendimi, pas një periudhe 60-ditore, naftëtarët i rritën çmimet, duke e detyruar Ministrinë që kohë pas kohe të zbatojë masa të tilla.