Jo rrallëherë ndodh që të ketë ide të mira, bëhet thirrje për parime të dobishme dhe vendosen rregulla të drejta për përhapjen dhe rrënjosjen e së mirës tek individët dhe në shoqëri. Mirëpo, këto ide, parime dhe rregulla nuk gjejnë rrugën e tyre drejt zbatimit praktik në jetën e njerëzve. Pengesa të ndryshme, që burojnë nga vetë njerëzit ose vijnë nga jashtë tyre, mund të pengojnë zbatimin e asaj për të cilën kanë bërë thirrje promovuesit e së mirës.
Për këtë arsye, imam Gazaliu i tha të birit në traktatin “O djalosh!”: “Këshilla është e lehtë, por ajo që është vërtet e vështirë është pranimi i saj!”
Islami ka qortuar ata që dinë, por që nuk veprojnë sipas asaj që dinë, si dhe ata që i urdhërojnë njerëzit për të bërë mirë, ndërkohë që harrojnë veten. Dijetarët islamë e kanë konsideruar se fryti i dijes është vënia e saj në zbatim dhe se dija pa vepër është si një pemë pa fruta.
Ndër mirësitë e Allahut (xh.sh) ndaj umetit islam është se parimet e punës bamirëse në të, themelet e së cilës janë qartësuar, veçoritë e së cilës janë shfaqur dhe format e së mirës në të janë konkretizuar në mënyrë të hollësishme, ndërsa janë bërë të njohura edhe burimet e financimit të saj, nuk mbetën thjesht bojë mbi letër apo porosi të mira që ruhen, por nuk zbatohen. Përkundrazi, ato u vunë në praktikë që nga epoka profetike dhe në shekujt që pasuan.
Në faqet në vijim do të paraqesim shembuj praktikë të asaj që historia ka regjistruar nga veprat e mira, në mënyrë që ato të shërbejnë si një shkollë ku myslimanët e mëvonshëm të mësojnë nga ajo që kanë bërë paraardhësit e tyre, ndërsa jomyslimanët të mësojnë prej saj se çfarë kanë ofruar myslimanët gjatë epokave të tyre në fushën e bamirësisë, veprave të mira dhe qëndrimeve njerëzore, të cilat dëshmojnë se njeriu është i denjë për të qenë mëkëmbës i Allahut në tokë.
Shembuj nga epoka profetike
I Dërguari shpenzonte dhe nuk i frikësohej varfërisë:
Ibn Xheriri transmeton nga Xhabiri (r.a) se një burrë erdhi te Profeti (a.s), dhe i kërkoi diçka. Ai ia dha. Pastaj erdhi një tjetër, i kërkoi diçka dhe ai i premtoi se do t’ia jepte. Atëherë Omeri ibn Hatabi (r.a), u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, të kërkuan dhe ti u dhe; pastaj të kërkuan dhe ti u dhe; pastaj të kërkuan dhe ti u premtove; pastaj të kërkuan dhe ti u premtove.” Dukej sikur kjo nuk i pëlqeu të Dërguarit të Allahut (a.s). Abdulla ibn Hudhafe es-Sehmi (r.a) u ngrit dhe tha: “Shpenzo, o i Dërguari i Allahut, dhe mos ki frikë se Ai që zotëron Arshin nuk do të të lërë në ngushtësi!” Ai tha: “Pikërisht për këtë jam urdhëruar.”[1]
Ibn Mes’udi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) hyri te Bilali (r.a) dhe tek ai kishte pirg hurmash. Ai tha: “Çfarë janë këto, o Bilal?” Bilali u përgjigj: “I kam ruajtur për mysafirët e tu.” Ai tha: “A nuk ke frikë se këto do të bëhen tym në zjarrin e Xhehenemit? Shpenzo, o Bilal, dhe mos ki frikë se Ai që zotëron Arshin do të të lërë në ngushtësi.”[1]
Enes ibn Maliku (r.a) transmeton se Profetit (a.s) i dhuruan tri shpendë. Ai i dha shërbëtores së tij, e cila i shërbente, një prej tyre për ta ngrënë. Të nesërmen, ajo ia solli atë. Atëherë i Dërguari i Allahut (a.s) tha: “A nuk të pata ndaluar të ruaje diçka për të nesërmen?! Sepse Allahu i Lartësuar sjell furnizimin e çdo të nesërmeje.”[2]
Ubejdulla ibn Abasi (r.a) transmeton se Ebu Dherri (r.a) më tha: “O biri i vëllait tim, isha me të Dërguarin e Allahut dhe po e mbaja për dore, kur ai më tha: “O Ebu Dherr, nuk do të doja të kisha një mal si Uhudi prej ari dhe argjendi, të cilin ta shpenzoja në rrugën e Allahut, e të vdisja në ditën që do të vdisja duke lënë prej tij qoftë edhe një kirat.” I thashë: “O i Dërguari i Allahut, qoftë edhe një kantar?” Ai tha: “O Ebu Dherr, ti po shkon drejt më të shumtës, ndërsa unë po shkoj drejt më të paktës. Unë dua Ahiretin, ndërsa ti do dynjanë! Qoftë edhe një kirat!” Ai ma përsëriti këtë tri herë.[3]
Gjashtë imamët e hadithit transmetojnë nga Ibn Omeri (r.a) se Omeri fitoi një tokë në Hajber dhe shkoi te Profeti, (a.s) e i tha: “Kam fituar një tokë, më të çmuarën pasuri që kam fituar ndonjëherë. Çfarë më urdhëron të bëj me të?” Ai tha: “Nëse dëshiron, ruaje themelin e saj dhe jepja frytet e saj si sadaka.”
Atëherë Omeri (r.a) e dha atë sadaka, duke përcaktuar që vetë prona të mos shitej, të mos dhurohej dhe të mos trashëgohej, ndërsa të ardhurat e saj të përdoreshin për të varfrit, të afërmit, lirimin e robërve, në rrugën e Allahut dhe për udhëtarët.
Kush vendos një traditë të mirë në vepra të mira:
Xheriri (r. a) se ka thënë: “Në fillim të ditës ishim te i Dërguari i Allahut (a.s) kur erdhi tek ai një grup njerëzish të zbathur e të zhveshur, të mbështjellë me rroba të çara dhe me shpata të varura në brez. Shumica e tyre, madje të gjithë, ishin nga fisi Mudar. Kur i pa në atë gjendje varfërie, fytyra e të Dërguarit të Allahut ndryshoi nga shqetësimi.
Ai hyri brenda dhe më pas doli. Urdhëroi Bilalin (r.a) të thërriste ezanin dhe ikametin. Pastaj fali namazin dhe mbajti një ligjëratë, në të cilën tha: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm”, deri në fund të ajetit: “Vërtet, Allahu është Mbikëqyrës mbi ju”[4] Dhe ajetin e sures El-Hashr: “O ju që keni besuar! Frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se çfarë ka përgatitur për të nesërmen”[5]
Pastaj tha: “Le të japë sadaka dikush prej dinarit të tij, prej dirhemit të tij, prej rrobës së tij, prej një sa’ gruri të tij, prej një sa’ hurmash të tij”, derisa tha: “qoftë edhe me gjysmën e një hurme.”
Xheriri thotë: “Atëherë erdhi një burrë nga ensarët me një trastë aq të madhe, saqë dora e tij mezi e mbante, madje nuk arrinte ta mbante. Pastaj njerëzit filluan të vinin njëri pas tjetrit, derisa pashë dy grumbuj me ushqime dhe rroba. Madje pashë fytyrën e të Dërguarit të Allahut, (a.s) sikur të ishte e praruar.
Atëherë i Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Cilido që vendos në Islam një traditë të mirë, do të ketë shpërblimin e saj dhe shpërblimin e kujtdo që vepron sipas saj pas tij, pa iu pakësuar asgjë nga shpërblimet e tyre. Ndërsa cilido që vendos në Islam një traditë të keqe, do të mbajë barrën e saj dhe barrën e kujtdo që vepron sipas saj pas tij, pa iu pakësuar asgjë nga barrët e tyre.”[6]
Ensarët i hapin kopshtet e tyre për nevojtarët:
Xhabiri (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) shkoi te bijtë e Amrë ibn Aufit ditën e mërkurë…” dhe përmendi hadithin, deri aty ku thuhet:
“O bashkësi e ensarëve!”
Ata thanë: “Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!”
Ai tha: “Në kohën e injorancës, kur nuk e adhuronit Allahun, ju u kujdeseshit për nevojtarët, tregonit bujari me pasurinë tuaj dhe e ndihmonit udhëtarin. Por, pasi Allahu ju begatoi me Islamin dhe me Profetin e Tij, ja tek po i mbyllni pasuritë tuaja?! Edhe për atë që ha biri i Ademit ka shpërblim, edhe për atë që ha kafsha grabitqare apo zogu ka shpërblim.”
Xhabiri thotë: “Atëherë njerëzit u kthyen dhe nuk kishte asnjë prej tyre që të mos hapte tridhjetë hyrje në kopshtin e tij.”[7] Pra, ata hapën kalime nëpër gardhet e kopshteve të tyre, në mënyrë që nevojtarët të mund të hynin dhe të merrnin prej tyre.
Ushqimi i banorëve të Suffes:
Seleme ibn Ekva’ (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) falej me shokët e tij dhe, pasi e përfundonte namazin, u thoshte shokëve të tij: “Secili prej jush të marrë me vete aq sa ka mundësi.” Atëherë njëri merrte me vete një person, një tjetër dy, e një tjetër tre, ndërsa i Dërguari i Allahut (a.s) merrte me vete pjesën tjetër.”[8]
Ebu Nuajmi transmeton në El-Hilje, nga Muhamed ibn Sirini, se ka thënë: “Kur binte mbrëmja, i Dërguari i Allahut (a.s) i ndante disa prej banorëve të Suffes ndërmjet disa prej shokëve të tij. Njëri merrte me vete një person, një tjetër merrte dy, një tjetër tre, derisa përmendi dhjetë. Sa’d ibn Ubade, Allahu qoftë i kënaqur me të, kthehej çdo natë te familja e tij me tetëdhjetë prej tyre, për t’u dhënë darkë.”
Autor: Jusuf Karadavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Bezzari. Hadithi është Hasen
[2] – Ebu Ja’la.
[3] – Bezzari.
[4] – Sure Nisa: 1.
[5] – Sure Hashr: 18.
[6] – Muslimi.
[7] – Hakimi.
[8] – Bejhakiu.








