Veseli e nënshkruan dhe procedon projektligjin për Trepçën

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka nënshkruar sot shkresën për projektligjin për Trepçën dhe ua ka shpërndarë menjëherë deputetëve për ta lexuar materialin, i cili pritet të hedhet për votim në seancën e së premtës.

Sipas draftit final të projektligjit për Trepçën, ky gjigant do të mbetet pronë e Republikës së Kosovës, ndërsa për zhvillimin e saj, do të vendosin institucionet e shtetit, shkruan EkonomiaOnline.

Mësohet se projektligji për Trepçën është finalizuar nga zyra e kryeparlamentarit Veseli një ditë para se ky i fundit ta vizitojë dhe të ndajë me minatorët lajmin se Trepça do të shndërrohet nga ndërmarrje shoqërore në ndërmarrje publike.

Dy ditë pas konfirmimit të Veselit në Kryesi se ligji për Trepçën do të miratohet të premten, Qeveria e Kosovës sot ka miratuar draftin final dhe e ka proceduar për miratim në Kuvend.