Ballina Artikuj Vështrimi Gjithëpërfshirës ndaj Kuranit

Vështrimi Gjithëpërfshirës ndaj Kuranit

Kurani është një libër gjithëpërfshirës dhe një rrugëtim (metodologji) i plotë jete. Ai ka një mision real e të vazhdueshëm, një natyrë dinamike e të gjallë, një mesazh qytetërues aktiv, si dhe një ekzistencë e ndikim të pandërprerë derisa Allahu të trashëgojë tokën dhe çfarë ka mbi të.

Lexuesi i cili dëshiron ta trajtojë siç duhet Kuranin, të marrë prej tij dhe të ndikohet nga ai, fillimisht duhet të përmirësojë vështrimin e tij ndaj tij. Këndvështrimi prej nga e sheh atë, perspektiva përmes së cilës e vështron, imazhi që ai ndërton për të dhe misioni që pret prej tij, të gjitha këto kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me mënyrën se si ai ndërvepron me Kuranin.

Disa prej atyre që e vështrojnë Kuranin dhe ndërveprojnë me të, si dhe disa lexues, e shohin atë me vështrime të pjesëshme, dytësore dhe anësore. Për disa, ai është libër për shërim (shifa), mbrojtje dhe lutje; për disa të tjerë, është një libër që përmbledh të gjitha shkencat, njohuritë dhe kulturat; për një grup të tretë, është një libër që përmban stilet më të larta të oratorisë, elokuencës dhe artit. Ai është gjithashtu një libër që përmban lajmet e të shkuarve, historitë e popujve të hershëm dhe gjendjet e botëve; është libër për fikhun (jurisprudencën) dhe rregullat, gjuhën, normat e sjelljes, mendimin dhe imagjinatën… Ai është një libër i bekuar për mbarësi dhe mbrojtje. Pas të gjitha këtyre, ai është një hapësirë për shpërblim dhe sevape, ku lexuesi i tij merr dhjetë të mira për çdo shkronjë të lexuar… e kështu me radhë.

Ne nuk e mohojmë ekzistencën e të gjitha këtyre çështjeve në Kuran, përfshirjen e tyre në të dhe sinjalizimin e tij drejt tyre. Po ashtu, nuk na lejohet që ta zhveshim Kuranin nga këto gjëra. Mirëpo, prania e këtyre elementeve në të është diçka, ndërsa kufizimi i vështrimit tonë vetëm tek to është diçka krejt tjetër. Nëse do të vepronim kështu, do ta zbraznim atë nga përmbajtja e tij, do të pezullonim rolin dhe misionin e tij, si dhe do të rrëshqitnim në gabimin e këndvështrimeve të pjesëshme e të mangëta.

Disa studiues e ndajnë Kuranin sipas tematikave, duke hulumtuar fjalët, shprehjet dhe sinjalizimet e tij për secilën temë. Kështu, dikush hulumton historitë kuranore, një tjetër fshehtësitë e tij të panjohura (gajb), ndërsa një i tretë shkencat e tij, legjislacionin apo sinjalizimet e tij drejt historisë, psikologjisë, menaxhimit, kulturës, ekonomisë, sociologjisë e të tjera si këto. Ndërsa të tjerë hulumtojnë termat dhe fjalët e tij të veçanta, si: durimi, namazi, devotshmëria, kalifati (mëkëmbësia), lutja, gjykimi dhe xhihadi. Të tjerë akoma përpiqen të klasifikojnë krerët (shkronjat/suret) dhe ajetet e tij, duke i indeksuar dhe sqaruar tematikat, shkencat e njohuritë që ato përmbajnë.

Këto janë përpjekje të mira e të vyera, dhe autorët e tyre janë të shpërblyer – me lejen e Allahut – sipas qëllimit të tyre. Mirëpo, këto përpjekje nuk mund të jenë të plota e të rregullta, dhe nuk mund ta rrokin temën nga të gjitha anët apo ta përfshijnë atë tërësisht. Kjo sepse autorëve të tyre do t’u shpëtojnë shumë nga nuancat, sinjalizimet dhe mrekullitë kuranore që lidhen me temën që po hulumtojnë. Një vështrim i hollësishëm mbi punimet e këtyre studiuesve në këtë fushë mjafton për të nxjerrë në dritë këtë të vërtetë.

Sidoqoftë, nga fjalët tona nuk duhet të kuptohet se po kërkojmë anulimin e punës dhe të kërkimit në këto tema, apo se po i cilësojmë ato si të kota e të gabuara, apo se po bëjmë thirrje për asgjësimin e këtyre librave, kërkimeve dhe studimeve! Kjo është diçka e domosdoshme. Mirëpo, ajo që ne dëshirojmë është që këta kërkues – si dhe lexuesit e punimeve e studimeve të tyre – të kenë parasysh këtë të vërtetë: se Kurani Famëlartë është një gjigant i madh në natyrën e tij, në misionin e tij dhe në mesazhin e tij, në mrekullinë e tij, në shkencat dhe tematikat e tij, në metodologjitë dhe sistemet e tij, në legjislacionin e tij, si dhe në gjithçka që ai përmban dhe ka sinjalizuar. Ai është një gjigant i madh, pjesëtimi i të cilit është i pamundur dhe ndarja e të cilit është e vështirë.

Vështrimi gjithëpërfshirës ndaj Kuranit është çelësi i parë për ndërveprimin me të. Ai është pika themelore e nisjes për ta kuptuar atë, për të medituar rreth tij dhe për të pranuar prej tij. Në këtë vështrim, vëzhguesi largpamës do të gjejë atë që të tjerët e kërkojnë nëpër tematika të veçuara dhe çështje pjesore anësore; ai i gjen ato gjatë ndërveprimit të tij me Kuranin. Kështu, vështrimet dytësore bëhen plotësuese dhe përmbushëse të këtij vështrimi parësor, duke i shtuar atij përfitime, shkenca dhe njohuri.

Lexuesi i Kuranit, i cili dëshiron të ketë këtë vështrim gjithëpërfshirës ndaj tij, duhet të vështrojë ajetet që paraqesin cilësitë dhe veçoritë e tij, të cilat tregojnë natyrën, mesazhin dhe misionin e tij. Më pas, ai duhet t’i kushtojë vëmendje vështrimit të sahabëve ndaj tij – një vështrim tërësor dhe gjithëpërfshirës – me qëllim që të dijë se si të ndërveprojë me të dhe ta kuptojë atë. Ai mund të niset nga ajo që u tha më lart në këtë libër, kur paraqitëm fjalën e Kuranit për Kuranin, fjalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ për të, si dhe thëniet e sahabëve dhe të tabiinëve në përshkrimin e tij.

Autor: Salah Abdulfetah el Halidij

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com