Vetëm tri raste me koronavirus, ministri Vitia thotë se janë në fund të rezervave të materialeve shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në konferencën për media ka bërë të ditur se Kosovës po i harxhohen rezervat e materialeve shëndetësore.

Ministri Vitia ka thënë se gjendja me rezervat e materialeve bazë shëndetësore qëndron keq, por ky është problem i të gjitha vendeve të Evropës.

Ai tha se janë në përfundim të rezervave të këtyre materialeve shëndetësore.

“Gjendja nuk është e mirë. Në mënyrën se si ne do të dëshironim. Ne jo vetëm në Kosovë por në secilin vend të Evropës tani problemi kryesor është sigurimi i materialeve mbrojtëse. Me shumë miq ndërkombëtar që kemi biseduar na kanë ofruar ndihmë të çfarëdollojshme përveç ndihmës me pajisje mbrojtëse sepse i kanë problemet e njëjta. Sa i përket Vitisë dhe Klinës, dje jam dëgjuar me kryetarin e Klinës por për shkak të punës deri pas orës 1 nuk ka qenë e mundur të kontaktoj me kryetarin e Vitisë, ne në procedurën që e kemi zhvilluar kemi siguruar material në vlerë 100 mijë euro dhe jemi në fund të rezervave. Ne kemi urdhëruar sot që të gjitha rezervat e materialeve të shpërndahen në Klinë dhe Viti, ne presim që deri të martën dhe mërkurën që procedura e 400 mijë eurove të ndara nga ministria e Shëndetësisë për këtë gjendje.”, tha Vitia.

Vitia ka lutur qytetarët e Klinës dhe Vitisë të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.

“Qysh sot kam kërkuar nga ministria që rezervat që i kemi nga procedura e fundit e zhvilluar të dërgohen në Klinë dhe Viti. Patjetër do të merren të gjitha masat që janë të nevojshme brenda kapaciteteve tona. Unë e di se për qytetarët e Klinës dhe Vitisë është gjendje akoma më e jashtëzakonshme se në pjesën tjetër të Kosovës por iu lutem të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre sepse është për shëndetin e tyre.”, vazhdoi më tutje Vitia.