Viets kërkon formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës

Ambasadorja e Gjermanisë në Prishtinë, Angelika Viets, tha sot se institucionet e Kosovës duhet të formohen sa më shpejt dhe porositi se vendit i nevojitet një qeveri stabile dhe evropiane.

Ajo gjatë një takimi lamtumirës me ministren në detyrë për Dialog, Edita Tahiri, ka potencuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut me Serbinë, pasi që ai i shërben paqes, fqinjësisë dhe integrimeve euroatlantike që janë qëllimet e shtetit të Kosovës.

Viets ka thënë se ndjehet e kënaqur që ka mundur të ndihmojë në forcimin marrëdhënieve mes dy vendeve dhe se është e gëzuar se Kosova në këtë periudhë ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me BE-në.

Ndërsa, ministrja Tahiri vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Gjermanisë si dhe i shprehu falënderimet ambasadores gjermane Viets për kontributin e saj të madh për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy shteteve.

Ajo tha se Qeveria e Kosovës çmon lart mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për fuqizimin e Kosovës dhe avancimin e integrimit euroatlantik të shtetit tonë.

Po ashtu, ajo theksoi se roli i Gjermanisë ka qenë shumë i rëndësishëm në procesin e dialogut për fqinjësi në Bruksel, sepse i ka dhënë shtytje këtij procesi në momente të rëndësishme në të mirë të paqes dhe stabilitetit në rajon.