Vijon avancimi i talebanëve, trupat afgane humbasin terren

Forcat e ushtrisë afgane gjatë një sulmi. Foto ilustruese: Wikimedia Commons

Mbështetësit e talebanëve kanë kaluar kufirin mes Pakistanit dhe Afganistanit për t’u bashkuar me milicinë, duke detyruar autoritetet pakistaneze të mbyllin kufirin.

Marrja nën kontroll e pikës kufitare strategjike në anën afgane të kufirit është hapi i fundit i ofensivës së talebanëve në Afganistan.

Milicia radikale po avancon prej javësh ndërsa trupat afgane dikur të mbështetura nga NATO, por tani të braktisura, po humbasin terren.

Nga ana tjetër, situata po detyron banorët të braktisin shtëpitë dhe fshatrat.

“Agjencia e OKB-së për refugjatët paralajmëroi sot për një krizë humanitare në Afganistan, teksa përshkallëzimi i konfliktit ka shtuar vuajtjet dhe zhvendosjen e civilëve. UNHCR paralajmëron se dështimi për një marrëveshje paqeje në Afganistan dhe vijimi i dhunës aktuale do të çojnë në një zhvendosje të mëtejshme të qytetarëve në vendet fqinje dhe më gjerë”, u shpreh Farhan Haq, zëdhënës i OKB-së.

Rreth 270 mijë afganë kanë braktisur shtëpitë e tyre që prej janarit të vitit 2021, kryesisht për shkak të pasigurisë dhe dhunës.

Kjo e çon totalin e popullsisë së zhvendosur në më shumë se 3.5 milionë.

OKB pret që shumë shpejt mijëra refugjatë të lënë vendin. /euronews