Viniciusi i përlotur: Gjithnjë e më pak po e ndjej futbollin

Anësori brazilian, Vinicius Jr, ka thënë se çdo herë e më pak po e ndjen lojën e futbollit për shkak të sulmeve raciste që po i bëhen.

Siç ka shkruar BBC-ja, sezonin e kaluar i ka pasur 10 incidente të tilla që 23-vjeçari i ka raportuar në autoritetet nga La Liga. Gjatë një konference për media të hënën, lojtari i Real Madridit tha se s’do të lejonte racizmin të triumfonte dhe të tërhiqej nga ekipi spanjoll.

Megjithatë, ai ka deklaruar se “është çdo herë e më vështirë të ecet përpara”.

Brazili do të ndeshet me Spanjën në një ndeshje miqësore në Santigo Bernabeu të martën, si pjesë e një fushate kundër racizmit.

“S’më ka shkuar kurrë në mendje të largohem nga Spanja, sepse nëse largohem, u jap racistëve pikërisht atë që duan. Unë do të qëndroj sepse në këtë mënyrë racistët mund të vazhdojnë të shohin fytyrën time gjithnjë e më tepër. Jam lojtar i guximshëm, luaj për Real Madridin dhe fitojmë shumë tituj e kjo nuk iu pëlqen shumë njerëzve. Thjeshtë dua të luaj futboll, por gjithnjë e më pak e ndjej këtë dëshirë”, është shprehur ai para gazetarëve.