Vlerësohet se do ketë menaxhim më të mirë të situatës në veri nga komandanti turk

Marrja e komandës së KFOR-it nga një komandant turk po shihet e mirëseardhur për Kosovën. Kjo sipas ish komandantit të FSK-së, Kadri Kastratit, menaxhimi i situatës në veri të vendit do të bëhet shumë më mirë për shkak të përvojës së Turqisë më grupet terroriste. E sipas ekspertit të sigurisë, Afrim Veselit nuk do të ketë ndryshime operacionale të KFOR-it më ndryshimin e komandës.

Prania e tanishme e këtyre ushtarëve të KFOR-it mund të jetë e zakonshme, por ndryshe ishte në vitin 1999.

Këto pamje janë dëshmi e gëzimit dhe pritjes së ushtarëve të NATO-s, të cilët u priten si shpëtimtarë e heronj.

24 vjet pas, misioni i NATO-s në Kosovë, ashtu siç parashihet me rezolutën 1244, vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë.

E rritja e tensioneve në veri pas sulmit terrorist të 24 shtatorit bëri që të rritet prania e tyre javëve të fundit.

Menaxhimi i situatës në veri sipas ish-komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastratit, do të jetë edhe më e mirë nën komandën e komandantit Turk, Özkan Ulutaş.

“Turqia më përvojën e vetë që e ka me terroristët në Siri, pastaj në veri që kanë probleme me kurdët, dinë të menaxhojnë shumë ma mirë se shtetet që nuk kanë qenë në konflikt drejtpërdrejt me terroristë apo organizata terroriste, prandaj unë mendoj se ata do të menaxhojnë shumë më mirë situatën në veri të Kosovës pra do të parandalojnë edhe hyrjen e terroristeve nga Serbia, por edhe vetë brenda për brena ata persona që janë të armator që kanë për mision nga Beograd, të nxisin temperatura dhe të nxisin konflikt të brendshëm, pra do të menaxhojë shumë më mirë se çdo kush tjetër”, ka thënë ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati.

Madje, udhëheqja e KFOR-it nga Turqia sipas Kastratit ka një arsye.

“Turqia ka ofruar forca shtesë, sa kam informacione një batalion ka mbërritur para një kohe dhe një batalion tjetër pritet më zbarkua, të cilët do të vijnë për veriun e Kosovës, dhe është kërkuar sa kam unë informacione se nëse dëshiron forca shtesë duhet që edhe komandat nga Forcat e armatosura të Turqisë”, është shprehur Kastrati.

Marrja e komandës së KFOR-it nga një komandant turk, sipas ekspertit të sigurisë, Afrim Veselit, nuk do të bëjë ndonjë ndryshim sa i përket operacioneve të trupave të NATO-së në vend.

“Kosova që nga viti 1999 ka mirëprit të gjithë komandat të KFOR, kanë ardhur prej shteteve tjera, kanë pasur besimin e qytetarë të Kosovës, edhe komandanti i ri do ta ketë besimin e Kosovës që t’i kryej operacionet. Në aspektin operacional nuk do të ndryshojë asgjë, Turqia është shtet mik i Kosovës”, ka deklaruar eksperti i sigurisë, Afrim Veseli.

Özkan Ulutaş, është komandanti i 28 i KFOR-it në Kosovë që nga viti 1999.