Von der Leyen: BE-ja të mbrojë konsumatorët nga pasojat e ngrirjes së furnizimit me gaz

Ursula von der Leyen

BE-ja po punon për të mbrojtur konsumatorët evropianë nga pasojat e ngrirjes së furnizimit me gaz rus në Poloni dhe Bullgari, deklaroi sot presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen.

“Përgjigja jonë do të jetë e menjëhershme, e bashkuar dhe e koordinuar”, tha von der Leyen sot në Bruksel.

“Polonia dhe Bullgaria tani po marrin gaz nga fqinjët e tyre të BE-së. Të ashtuquajturat grupe rajonale të vendeve anëtare, që mund të ndihmojnë njëri-tjetrin, do të forcohen. Kjo do të zbusë çdo ndikim në ndërprerjet e mundshme të gazit”, tha Von der Leyen.

“Komisioni Evropian vazhdon të punojë me vendet anëtare të BE-së për të siguruar furnizime alternative me gaz”, shtoi ajo.

“Vendimi i fundit agresiv i Rusisë është një tjetër kujtesë shumë e rëndësishme se ne duhet të punojmë me partnerë të besueshëm dhe të ndërtojmë pavarësinë tonë energjetike”, tha ajo. /atsh