Vuçiq i shkruan letër Trumpit, tregon kërkesat e tij për Kosovën
Aleksandar Vuçiq i ka dërguar letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka dërguar letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në të cilën mes tjerash ka kërkuar mbështetje për arritjen e marrëveshjes së qëndrueshme për Kosovën dhe e ftoi për vizitë në Serbi.
Në letrën e tij, Vuçiq ka falënderuar SHBA-në për mbështetje në rrugëtimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, e sidomos në përkrahjen ndaj përpjekjeve për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin perëndimor, transmeton lajmi.net.
Vuçiq po ashtu nëpërmjet letrës ka shfaqur gatishmëri t’i rikthehet dialogut me Kosovën por me kusht që të hiqet taksa ndaj mallrave serbe.
“Në momentin kur Prishtina ta heqë këtë masë të paarsyeshme dhe të dëmshme, jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun në kërkim të një zgjidhjeje të qëndrueshme”, thuhet në letrën që Vuçiq i ka dërguar Trumpit, në përgjigje të një letre që presidenti amerikan i ka dërguar atij më 14 dhjetor, transmeton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.
“Taksa e Prishtinës është ngarkesë dhe pengesë e pakapërcyeshme për rifillimin e dialogut, sepse jo vetëm që i sjell dëm ekonomisë serbe, por rrezikon edhe jetën e serbëve në Kosovë”, shton ai. Vuçiq ka përsëritur thirrjen për vizitën e Trumpit në Serbi duke u bërë presidenti i parë amerikan pas 40 vitesh që viziton Beogradin.








