Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha sot se Izraeli dhe Serbia do të prodhojnë së bashku dronë dhe se vendi i tij do të ketë dronët më të mirë në këtë pjesë të botës, raporton Anadolu.
Kur gazetarët e pyetën mbi disa pretendime se Izraeli do të ndërtojë fabrikë dronësh në Serbi dhe më pas edhe dronë, Vuçiq pyeti “nëse kjo ishte lëvdatë apo kritikë ndaj tij”.
“Mendoj se po më lavdërojnë. Ne nuk dimë si të bëjmë dronë siç mundet Izraeli. Jam krenar për këtë, do ta bëjmë së bashku, do të jetë gjysmë-gjysmë, 50-50. Kjo tregon se do të kemi dronët më të mirë në këtë pjesë të botës”, tha Vuçiq në shënimin e Ditës së Detashmentit të Policisë Ushtarake për Qëllime Speciale “Kobra”.
Ai shtoi se “gjëja më qesharake për të është kur disa media pretendojnë se një avion me armë ose municione është nisur për në Izrael ose diku tjetër”.
“Unë them, ‘vetëm një?’. Shpresoj të jenë tre, pastaj tre të nesërmen dhe çdo ditë, sepse kjo flet për sukseset tona dhe flet për sa të zgjuar jemi për të siguruar sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Pra, çdo gjë që më kritikon është e saktë, ata kanë të drejtë, pasi ne po bëjmë shumë më tepër sesa mendojnë ata dhe do të vazhdojmë”, tha Vuçiq.
Presidenti serb njoftoi në mars hapjen e një fabrike për prodhimin e dronëve të përparuar në Serbi në bashkëpunim me një partner të huaj.
“Së shpejti do të hapim fabrikën e parë për dronë seriozë këtu në vendin tonë, shumë seriozë, më seriozët në botë. Deri më tani kemi punuar, si ushtri dhe si kompani private, duke montuar lloje të ndryshme dronësh më të vegjël, ‘Komarac 1’, ‘Komarac 2’, kompani private që e bëjnë këtë”, shtoi Vuçiq.

