Vuçiq takohet me ambasadorin amerikan, ia paraqet “katër shqetësimet e tij” në raport me Kosovën

Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Kyle Scott, ka thënë sot në një bisedë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se është e nevojshme të gjendet një mënyrë për të vazhduar bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës.

Kjo pasi që, sipas tij, përcjell Telegrafi, është në interesin e përbashkët të Serbisë, Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare për të arritur një kompromis.

Sipas mediave serbe, të cilat thirren në një njoftim të kabinetit të presidentit serb, Vuçiq përsëriti se Serbia është gati të bisedojë, nëse Prishtina tërheq taksën ndaj prodhimeve serbe.

Ai theksoi se duke mos përmbushur kushtet e vetme nga Marrëveshja e Brukselit, siç është themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe, miratimi i një platforme për negociatat, themelimi i Ushtrisë së Kosovës dhe futja e taksës mbi mallrat nga Serbia, ka ardhur deri tek bllokimi i dialogut.

Madje, sipas Vuçiq, bashkësia ndërkombëtare duhet të kishte trajtuar problemet që çuan në një ngërç në dialog, në veçanti përpjekjet për të shfuqizuar taksën mbi mallrat serbe.

“Unë nuk jam optimist, por nëse Prishtina tërheq taksën, Serbia është e gatshme të bisedojë”, citohet të ketë thënë Vuçiq.