Vuçiqi fajëson Kurtin dhe ndërkombëtarët “dyfytyrësh” për tensionet në veri – VIDEO

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe bashkësinë ndërkombëtare për tensionet e fundit në veri. Ai ka thënë se Policia e Kosovës “përdoret politikisht ndaj serbëve në veri”.

Në orët e para të së dielës, polici Afrim Bunjaku u qëllua për vdekje nga disa sulmues që më pas u rrethuan në Manastirin e Banjskës së Zveçanit. Pas një aksioni, Policia ka konfirmuar se tre sulmues janë vrarë e se janë arrestuar gjashtë. Në një konferencë të jashtëzakonshme për media në mbrëmje, Vuçiqi ka thënë se të vrarët janë “serbë të Kosovës”.

Vuçiqi ka thënë se “gjithmonë ka tërhequr vërejtjen, se kjo mund të ndodhë nga njerëz në Kosovë, që s’duan ta durojnë terrorin e Kurtit”.

Ka deklaruar se që nga nëntori Kurti ka përdorur 62 herë policinë e Kosovës ndaj serbëve në veri. Vuçiq ka thënë se janë bërë mbi “56 sulme të motivuara politike mbi serbët”.

Vuçiq ka thënë se nuk e arsyeton vrasjen e policit dhe se kjo është për t’u gjykuar.

“Është diçka që askush s’kishte nevojë për këtë, aq më pak populli serb, veçanërisht në këtë moment kur të gjithë e kuptuan se Kurti është organizatori kryesor i kaosit në Kosovë”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se për 1 orë e 20 minuta janë rrethuar “afro dhjetë serbë”.

“Ishin në rrethim të plotë dhe është evidente se është bërë së bashku me forcat ndërkombëtare në aspektin logjistik e është zbatuar një sulm brutal mbi ta”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiqi ka thënë se e ka pyetur KFOR-in pse s’ka vepruar që të ketë më pak viktima, “por se Kurtit i është dhënë leja për të vrarë sa më shumë njerëz”.

Ai ka thënë se “një sulmues është në rrezik për jetë vetëm pasi nuk i është dhënë ndihmë”. Vuçiq ka thënë se ka incizimet “ku dëgjohen policët shqiptarë duke qeshur e duke thënë ‘lëre’”.

Ai ka thënë se dy serbë janë qëlluar nga snajperë nga distanca. Po ashtu ka thënë se është shtënë edhe në drejtim të shtëpive, në të cilën ka pasur “vetëm pleq”.

Ai ka thënë se grupi i serbëve është futur në manastir të Banjskës vetëm “për të kërkuar ndihmë për dy të rinjtë e plagosur”.

“Kur ka ndodhur një konflikt i tillë në Maqedoni janë arritur biseda dhe marrëveshje, ndërkaq sot kanë thënë vritni të gjithë. Kur Serbia ka shkuar në Drenicë që të konfrontohet me ata që kanë dashur të shkëputën nga shteti i njohur ndërkombëtarisht, ata kanë thënë se kanë qenë luftëtarë për liri në krye me Adem Jasharin dhe jo terroristë, vetëm Serbia si duket është terroriste. Kjo është mësim që ta dimë se me kë kemi punë dhe të dimë se ç’është ajo që mendojnë për ne. Keni dëgjuar sot se gjithçka është organizuar nga Beogradi”, ka deklaruar Vuçiqi.

Vuçiqi ka përsëritur kërkesën për Asociacionin e që në veri të Kosovës të angazhohen policë të nacionalitetit serb. “Kjo është mënyra e vetme që serbët të mos ndiqen nga vatrat e tyre dhe të mos ketë konflikte”.

“Ne do të marrim vendime për këto ngjarje dhe jo dikush tjetër. Dyfytyrësia është emri i tyre i mesëm. Gjithë kohën kanë kërkuar arsyetim që ta fajësojnë Serbinë derisa të mos e njohim Kosovën. Ky është presioni për ta njohur Kosovën”, ka thënë tutje Vuçiqi duke akuzuar ndërkombëtarët. “Ky presion do të vazhdojë. Ata që mendojnë se do të bëjmë presionin e madh që Serbia ta njohë Kosovën, do t’u them në mënyrë të fuqishme, kurrë nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës. Mund të na vrisni të gjithëve, mund të thoni çka të doni”, ka shtuar ai.

Sipas tij, veturat dhe pajisjet e para në ambientet e Manastirit të Banjskës “nuk janë të Ushtrisë e as të Policisë së Serbisë”.

“Kjo paraqet atë se si duket një luftë speciale ndaj Serbisë. Nuk janë uniforma as të ushtrisë e as policisë së Serbisë, nuk kanë pasur armë speciale. Ne pa lejen e KFOR-it nuk mund të hymë, vetëm nëse duam të hymë në konflikt me NATO-n. Kemi biseduar me Petkoviqin e Listës Serbe. Ata janë me popullin e tyre. Problem është që policia shqiptare ka shtënë në shtëpi private dhe ka trokitur në ato shtëpi për t’i gjetur serbët. Barrikadat që janë vendosur është dashur t’i largojë KFOR-i dhe jo policia e Kosovës, për këtë e ka pësuar polici shqiptar”, ka thënë ai. “Kosova kurrë s’do ta fitojë pavarësinë e saj, së paku jo nga Republika e Serbisë. Çka do që ndërmarrin ndërkombëtarët, ne vendimet do t’i marrim në ditët në vijim dhe do t’i marrim me kokë të ftohtë. Sa u përket vendimeve se si dhe në çfarë mënyrë do të mbrojmë popullin do t’ju njoftojmë”, ka thënë tutje Vuçiqi.

Sipas tij, për “shtensionim s’ka punuar askush”.

“Forcat ndërkombëtare i kanë lënë në lloç (sulmuesit) dhe kanë lejuar që t’i ndjekin me snajperë dhe t’i vrasin, pas vrasjes së policit. Kësisoj, veriun e Kosovës dhe serbët t’i lënë pa burra që do t’i kundërvihen terrorit të Kurtit”, ka thënë Vuçiqi.

Sipas Vuçiqit, në aksionin e Policisë së Kosovës kanë qenë 460 njësi. /koha