Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Witkoff vlerëson Turqinë, Katarin dhe Egjiptin si ndërmjetësit kyç në përpjekjet për...

Witkoff vlerëson Turqinë, Katarin dhe Egjiptin si ndërmjetësit kyç në përpjekjet për paqen në Gaza

I dërguari special i ShBA-së, Steve Witkoff, vlerësoi vendet ndërmjetësuese që ndihmuan në arritjen e armëpushimit në Rripin e Gazës, duke veçuar zyrtarë të lartë nga Türkiye, Katari dhe Egjipti, gjatë mbledhjes inauguruese të Bordit të Paqes të enjten në Uashington.

Witkoff falënderoi presidentin e Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ministrin e Jashtëm, Hakan Fidan dhe kreun e Organizatës Kombëtare të Inteligjencës, Ibrahim Kalin, për kontributet e tyre.

Ai shprehu mirënjohje edhe për kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, duke e cilësuar atë si “një qenie njerëzore të jashtëzakonshme”.

Sa i përket Egjiptit, Witkoff vlerësoi presidentin Abdel Fattah el-Sisi, Ministrin e Jashtëm Badr Abdelatty dhe shefin e inteligjencës Hassan Rashad, duke thënë se “kanë kaluar shumë gjëra së bashku”.

Duke iu referuar ShBA-së, Witkoff vlerësoi zëvendëspresidentin JD Vance për “mendjemprehtësinë dhe këshillat” e tij, ndërsa sekretarin e Shtetit Marco Rubio e quajti “një sekretar të jashtëzakonshëm”.

Ai e përshkroi Jared Kushnerin si “mikun e tij të dashur dhe partnerin më të mirë që ka pasur ndonjëherë”, duke rezervuar vlerësimin më të lartë për Presidentin amerikan Donald Trump. Witkoff përmendi gjithashtu Shefen e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, për mbështetjen e saj prapa skenave.

Witkoff falënderoi gjithashtu edhe zyrtarët izraelitë për përpjekjet e tyre gjatë procesit.