Granit Xhaka ka lënë gjurmë në fitoren e katërt rresht të Bayer Leverkusenit, në të gjitha garat.
Pas fitoreve ndaj Heidenheimit, Salzburgut në Ligën e Kampionëve, Union Berlinit e Bayern Munichut në Kupën e Gjermanisë, Leverkuseni të shtunën fitoi 2:1 ndaj St. Paulit, në ndeshjen e xhiros së 13-të të elitës gjermane.
Xhaka asistoi në golin e parë, të cilin e shënoi Florian wirtz.
Jonathan Tah e dyfishoi epërsinë.
Kapiteni 32-vjeçar i Zvicrës, Xhaka, asistoi edhe në golin që e shënoi Nathan Tella, por që u anulua për pozitë jashtë loje.
Golin e vetëm mysafirët e shënuan në minutën e 84-t, me sulmuesin Morgan Guilavogui.
Xhaka e kompletoi ndeshjen në mesfushë, ndërsa e regjistroi asistimin e pestë në edicionin aktual të Bundesligës. Ai i ka të shënuara edhe dy gola.
Leverkuseni pas 13 ndeshjeve është i treti me 26 pikë, shtatë më pak se lideri, Bayern Munichu.
St. Pauli mbetet i 15-ti me 11 pikë.