Xhaka nuk shkon askund, Arteta bind lojtarin për të vazhduar qëndrimin

Granit Xhaka vazhdon të jetë emri kryesor i merkatos së janarit, tek skuadra e Arsenal.

Mesfushori me prejardhje kosovare, Xhaka, tash e sa kohë lidhet me një largim të mundshëm nga Arsenal, për t’u rikthyer në Bundesliga.

Është skuadra e Hertha Berlin ajo që thuhej të kishte siguruar një marrëveshje me lojtarin, por me ndryshimin e trajnerit te ‘Gunners’, duket se ka ndryshuar edhe situata e Xhakës.

Mikel Arteta ka zbuluar se i ka thënë Xhakës që është gati ta përkrah atë dhe të shtyjë klubin për ta përkrahur atë, shkruan ‘The Sun’, transmeton lajmi.net.

Trajneri spanjoll beson se ish kapiteni i Arsenal është një lojtar shumë i mirë, dhe mund ta shijojë lojën nën urdhrat e tij.

Problemet e Xhakës me Arsenal kishin filluar në tetorin e vitit të kaluar, në ndeshjen kundër Crystal Palace, kur ai përballej me vërshëllimat e tifozëve dhe nuk arriti të kontrollonte nervat e tij.

Por, tashmë duket se gjithçka është kaluar, dhe lojtari do të qëndrojë tek Arsenal, për të luajtur nën urdhrat e Arteta.